Glauk Konjufca, kryetari i Kuvendit të Kosovës, në kuadër të vizitave zyrtare në Francë, i shoqëruar nga ambasadori Mehdi Halimi, shefi i stafit, Ilir Kërçeli dhe këshilltari Donik Sallova, ka takuar kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet, nënkryetaren e Asamblesë Kombëtare, Valérie Rabault, kryetarin e komisionit për punë të jashtme, Jean-Louis Bourlanges, deputetin për francezët që jetojnë jashtë Francës, Frédéric Petit dhe kryetarin e grupit të miqësisë Francë-Kosovë, Jean-Philippe Ardouin.
Sipas Konjufcës, në këtë takim miqësor dhe të frytshëm është theksuar nevoja për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve, si në rrafshin e raporteve mes institucioneve parlamentare, ashtu edhe në nivel të plotë shtetëror.
“Republika e Kosovës është shumë e interesuar që partneriteti mes dy vendeve tona të jetë jo vetëm i vazhdueshëm dhe i palëkundur, por edhe të thellohet më tej duke lëvruar gjithë potencialin e vet, nga pikëpamja institucionale, kulturore, ekonomike dhe politike, si përgjigje e domosdoshme ndaj rrethanave ku gjendemi aktualisht si bllok perëndimor, me vlera dhe synime të përbashkëta që i mbrojmë dhe i zhvillojmë”, ka thënë Konjufca.
Homologen Yawl Braun-Pivet e ka falënderuar për kontributin e Francës në drejtim të Kosovës ndër vite, asistencën e vyer që Kosovës i ka sjellë sot sukses në cilësitë e shtetndërtimit, në sundim të ligjit dhe demokratizimin shembullor në rajon.
“Arritjet e shtetit tonë janë edhe suksese të aleatëve tanë që na kanë mbështetur dhe kanë dhënë kontributin e tyre, e ndaj të cilëve ne jemi mirënjohës”, ka thënë ai tutje.
“Diskutuam për situatën aktuale në vendet tona dhe për sfidat nëpër të cilat gjendemi aktualisht. I theksova zj. Yawl Braun-Pivet përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës ndaj angazhimeve tona që në vëmendje kanë shembullin, mjetet dhe frymën e Bashkimit Evropian, unionit të vlerave dhe qëllimeve tona të përbashkëta”, ka përfunduar ai.