Kontrolle të shumta të Policisë: I riu në Pejë kapet me armë e rreth 20 fishekë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Pejë, pasi një njësi policore që po patrullonte në qytetin e Pejës ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, te pasagjeri A.A., është gjetur një armë me rreth 20 fishekë, që i posedonte pa leje.

Arma dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Related Articles