Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON) ka shprehur pakënaqësitë me përfshirjen e tyre në projektligjin e pagave që do të jetë në proces votimi në ditët dhe javët në vijim.
“Kontrollorët e trafikut ajror të Kosovës gjithashtu konsiderojnë që përfshirja e jonë në Ligjin e Pagave në Sektorin Publik cenon autonominë e Agjencionit të Shërbimit të Navigimit Ajror të Kosovës në zbatimin e dispozitave të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat Republika e Kosovës është obliguar se do t’i zbatojë sipas Nenit 145 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Si pasojë e mungesës së stabilitetit financiar, në vendet e zhvilluara kanë ikur tashmë 7 kontrollorë/instruktorë të trafikut ajror me mbi 10 vjet përvojë në këtë profesion. Ky fakt dëshmon se kontrollorët tanë janë të përgatitur në nivelin e standardeve më të larta botërore, pasi tashmë ofrojnë shërbime në qendrat kryesore të aviacionit civil në Emiratet e Bashkuara dhe Evropë”.
Kontrollorët e trafikut ajror thonë se duke ofruar shërbime gjenerojmë të hyra financiare dhe pretendojnë se nuk janë barrë financiare per buxhetin e Kosovës pasi janë pak në numër.
“Ofruesit e shërbimeve të navigimit ajror(OSHNA) ku Kontrollorët e Trafikut Ajror ofrojnë shërbimet e tyre kudo në Evropë, dhe e kanë të garantuar autonominë financiare, autonomi e cila është e rregulluar ne nivel evropian dhe zbatohet nën ombrellen e EUROCONTROL-it”.
“Caktimi i pagave dhe i shpenzimeve të tjera të ASHNA-së bëhet duke u bazuar në rregulloren e transpozuar të BE-së Nr.1794/2006 si rrjedhojë e të qenit te Kosovës shtet nënshkrues i Marrëveshjes HPEA. Përmes rregullores 3/2016 të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës që transpozon rregulloren e cekur të BE-së, caktohet tarifa për shfrytëzues të shërbimeve aeronatike, do të thotë për kompanitë ajrore që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Me këtë nënkuptohet se ASHNA nuk është barrë për buxhetin e Republikës së Kosovës”.
Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror mirëpresin çdo ligj që rregullon çështjet e pagave dhe mirëqenies sociale në Kosovë. Por sipas tyre Projektligji për pagat do të përkeqësojë situatën.
“Kjo situatë nuk na ofron zgjidhje, si i tillë, përfshirja në këtë ligj ka qenë dhe do të jetë i papranueshëm për kontrollorët e trafikut ajror”.
“Kërkesa jonë për të mos u përfshirë në ligjin e pagave ka të bëjë me faktin se profesioni i kontrollit të trafikut ajror është i veçantë, nuk përkon dhe nuk përshtatet me asnjë nga profesionet e tjera, kërkon një trajtim të veçantë siç e gëzon në rajon dhe në vendet evropiane. Apelojmë tek institucionet tona që të gjejnë një zgjidhje, mos na përfshini në ligjin e pagave, kjo mund të bëhet duke përdorur praktikat evropiane, pasi që vetë Kosova është e përkushtuar të zbatojë/transpozojë ligjet dhe rregulloret evropiane. Ne nuk jemi 10 mijë, 5 mijë apo 100 kontrollorë të trafikut ajror, jemi vetëm 32”.
Sindikata thotë se udhëtarëve dhe kompanive ajrore, u kërkojnë ndjesë për situatat që mund të krijohen në të ardhmen e afërt, duke vendosur për masat sindikale që mund të merren, nëse shqetësimet dhe kërkesat e tyre nuk përfillen.
“Shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje, ku ne do të vazhdojmë të ofrojmë shërbime profesionale për të gjitha palët duke zbatuar standardet më të larta të sigurisë dhe shpresojmë se nuk detyrohemi të ndërmarrim veprime sindikale”, thuhet tutje në njoftim./