Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Krasniqi ka shkruar në Facebook se i ka thënë ambasadorit Kosnett se PDK-ja ka investuar në forcimin e raporteve Kosovë-SHBA.
“Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e shenjtë dhe e pathyeshme. Në takim me Ambasadorin Philip Kosnett theksova se PDK, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, gjithmonë ka investuar në forcimin e raporteve mes vendeve dhe popujve tanë dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, shkroi Krasniqi.
Ai shtoi se e ka siguruar ambasadorin amerikan se PDK-ja do të angazhohet që të ofrojë një alternativë kredibile për qytetarët.
“Për PDK-në, bashkërendimi me Washingtonin për çështje të interesit strategjik është vital dhe i pazëvendësueshëm. Ambasadorin Kosnett e njoftova se PDK si lidere opozitare do të angazhohet me kompetencë dhe profesionalizëm që të ofrojë alternativë kredibile për qytetarët e Kosovës”, shkroi Krasniqi.