I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, kanë detyrime specifike për të ndërmarrë në rrugën drejt normalizimit, raporton Gazeta Sinjali.
Në një prononcim për Zërin e Amerikës, Escobar ka thënë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Serbia duhet të njohë dokumentet doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve dhe të tjera si këto.
Escobar tha se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.
Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.