Emsiari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se këto dy vende kanë arritur të pajtohen për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut që po mbahet sot në Bruksel.
Lajçak, përmes një njoftimi në Twitter ka thënë se ky është një hap i madh përpara.
“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, takimi po mbahet në nivel kryenegociatorësh, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehet se pret që sot të arrihet marrëveshje në Bruksel.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në tentativë për të finalizuar marrëveshjen për energjinë.
“Shpresoj se do të arrijmë një marrëveshje, sepse ajo do të ishte e para për gjëra bazike, por që është me rëndësi”, është shprehur Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se pret që nga takimi i sotëm gjithçka të shkojë në rregull “përveçse nëse pala tjetër shpik diçka”.