Kosova (334), Bosnja dhe Hercegovina (136) dhe Shqipëria (94) raportuan numrin më të lartë të incidenteve me armë zjarri.
Këtë të dhënë e zbulon raporti i ri Tremujor Rajonal i Dhunës së Armatosur nga SEESAC (South Eastern and Eastern Europe Clearinghouse for the Control of Small Arms and Light Weapons).
Raporti regjistroi 811 incidente të lidhura me armë zjarri në rajon nga janari deri në mars të vitit 2022.
Tre muajt e parë kanë raportuar gjithashtu 435 raste të konfiskimeve të armëve.
Sipas SEESAC-it, gjatë kësaj periudhe 119 ngjarje kanë pasur kontekst kriminal, nga të cilat 57 kanë qenë të lidhura me grabitjet me armë.
Gjatë këtij tremujori kanë ndodhur 47 incidente të të shtënave aksidentale, festive dhe gjuetisë.
72 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa 24 janë vrarë me armë zjarri gjatë kësaj periudhe raportuese.
Burrat përbënin 97.8 për qind të të gjithë autorëve.
SEESAC zbulon fillimisht në raportin e zgjeruar se gjatë kësaj periudhe 66 burra ishin plagosur me armë zjarri.
Raporti vëren se shumica e vrasjeve (13) ka ndodhur në shtëpi dhe në rrugë.
Në krahasim me tremujorin e fundvitit që lamë pas, numri i përgjithshëm i incidenteve të regjistruara në këtë tremujor u rrit me 6 për qind.
Konfiskimet e armëve (435) dhe incidentet në kontekstin kriminal (119) vazhdojnë të jenë raportimet më të shumta të incidenteve.
Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut shënuan numrin më të lartë të rasteve të konfiskimeve gjatë këtij tremujori.
Pistoletat vazhdojnë të mbeten lloji më i sekuestruar i armëve.
Kosova ka raportuar numrin më të madh të konfiskimeve të armëve të dorës (80), sipas SEESAC-it.
Me 65 kapje, pushkët e gjahut ishin lloji i dytë më i sekuestruar.
Kosova raportoi numrin më të madh të incidenteve në të cilat është sekuestruar kjo lloj arme zjarri (32).
Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia raportuan një rënie të incidenteve të kontekstit kriminal.
Raporti thekson se gjatë tre muajve të parë të vitit u regjistruan 91 viktima të incidenteve në kontekst kriminal, nga të cilat gjashtë persona janë raportuar si të vrarë, 20 të plagosur dhe 56 të kërcënuar.
Nga 119 incidente në kontekst kriminal, 57 incidente kishin të bënin me grabitje me armë, të cilat janë raportuar më së shumti në Bosnjë dhe Hercegovinë (27) dhe Kosovë (14)
Kosova raportoi edhe një rritje prej 31.2 për qind të të shtënave festive (nga 16 në 21).
Nga janari deri në mars të këtij viti, ka pasur 1 mijë e 32 autorë të incidenteve me armë zjarri.
Në incidentet ku meshkujt u identifikuan si autorë, ato lidheshin më së shumti me sekuestrimin e armëve (51.6 për qind) dhe në kontekst kriminal (19.8 për qind).
Në incidentet ku femrat u identifikuan si autore, ato ishin më së shumti të lidhura me konfiskimet e armëve (63.1 për qind).
Tremujorin e parë, raporti nënvizon se janë regjistruar 257 viktima të incidenteve me armë zjarri.
Në incidentet ku ndodheshin burra të raportuar si viktima, ngjarja lidhej kryesisht me ngjarje kriminale (30.8 për qind) dhe mosmarrëveshje publike (30.8 për qind).
Sa i takon viktimave të raportuara femra, fatalitetet lidheshin kryesisht me incidentet e kontekstit kriminal (45 për qind) dhe dhunës në familje (31.3 për qind).