Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës e ka ndërmend ta ndjekë rrugën ligjore ndaj Serbisë, nëse ajo vazhdon t’ua shkelë të drejtat themelore sportistëve kosovarë.
Boksierëve të Kosovës iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, pasi autoritetet serbe nuk i lejuan ata të futeshin në territorin e Serbisë, duke i kthyer mbrapsht tri herë radhazi në fundjavë.
Tre boksierë kosovarë ishin ftuar zyrtarisht të garonin në Botërorin e Boksit, i cili nisi të dielën në kryeqytetin serb, nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit.
Duke folur të hënën në një konferencë për media, ministri Çeku tha: “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e dënojmë rëndë veprimin e Qeverisë së Serbisë për ta penguar Kosovën që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit. Ne konsiderojmë që ky veprim i organizatorit të këtij kampionati është me direktiva nga Qeveria e Serbisë”.
Ministri Çeku më tej vuri në dukje se MKRS ka kërkuar reagim nga BE dhe instancat tjera relevante në lidhje me rastin, duke u shfaqur i habitur me faktin që nuk ka pasur asnjë reagim deri më tani, duke paralajmëruar njëherit se MKRS do të ndjekë rrugët alternative ligjore, shkruan Gazeta Enigma.
“Për MKRS-në është e patolerueshme mospjesëmarrja e ekipit në Botëror, e kjo krejt për shkak të qëndrimeve politike serbe kundër Kosovës. Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, që në të kaluarën është treguar shumë e kujdesshme për të reaguar, por për çudi nga BE-ja deri tash nuk kemi as edhe një reagim, për rast të pastër të shkeljes bazike të drejtave të boksierëve tanë. U bëjmë thirrje Federatës Ndërkombëtare të Koksit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të reaguar e marrë masa ndaj organizatorit. Nëse nuk merren masat e duhura, obligohemi të trajtojmë e ndjekim rrugët ligjore kundër penalizimit të sportistëve tanë”, ka thënë Çeku.