Kosova do t’i strehojë përkohësisht rreth dy mijë afganë

Kosova do t’i strehojë përkohësisht rreth dy mijë afganë

Rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë. Kështu bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Sveçla tha për ardhjen e afganëve, institucionet e Kosovës po koordinohen rregullisht me aleatët amerikanë në Afganistan, NATO e në Kosovë.

Sveçla tha po ashtu se qëndrimi i personave që do të vijnë nga Afganistani nuk do të jetë i gjatë dhe siç u shpreh ai, Kosova mund t’iu ofrojë atyre mbrojtje të përkohshme në kohëzgjatje prej një viti.

I pyetur se sa persona do të strehohen në Kosovë, Sveçla ka thënë për Radio Evropa e Lirë se numri për strehim të përkohshëm është rreth 2 mijë persona.

Ndërsa, Sveçla theksoi se sa i përket asaj se kur do të vijnë afganët është çështje e organizimit e të gjithë këtij procesi të evakuimit të shtetasve afganë nga aeroporti i Kabulit për te vendet treta dhe pastaj te Republika e Kosovës.

“Është çështje organizative, është një aktivitet jashtëzakonisht i madh logjistik i ushtrisë amerikane, por edhe gjithë aleatëve të tjerë të NATO-s, dhe prandaj nuk kemi një orë, ditë, datë të përcaktuar saktë. Ne jemi në dispozicion, jemi në kontakt të vazhdueshëm, qoftë me zyrtarët këtu, qoftë me zyrtarët e shtetit amerikan në Amerikë dhe në vendngjarje, por edhe me bashkëpunëtorë të tjerë të shteteve të tjera”, ka thënë ai.

I pyetur se ku do të vendosen të ardhurit, ministri ka thënë se janë disa lokacione të cilat janë duke u shqyrtuar, derisa ka theksuar se sipas ligjit, të ardhurve mbrojtje të përkohshme mund të ofrojmë deri në një vit.

Ndërsa, Sveçla ka theksuar se personat që do të vijnë përkohësisht në Kosovë do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit.

“Janë disa shkallë të verifikimit nëpër të cilat ata do të kalojnë, qoftë nga bashkëpunëtorët tanë, aleatët tanë, qoftë edhe nga shteti i Kosovës. Absolutisht që po, edhe Kosova do të bëjë një verifikim”, ka potencuar ai.

Related Articles