Kosova ka arritur një fitore të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve, duke mposhtur Lituaninë 2-1.
Ndeshja filloi me Dardanët që ushtruan presion ndaj vendasve, të cilët u mbyllën mirë në mbrojtje. Pas një fillimi të ngadalshëm, në minutën e 12-të, Milot Rashica pati rastin e parë për gol, por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.
Pas disa përpjekjeve, Kosova arriti të shënojë në minutën e 20-të. Edon Zhegrova, pas një asistimi të Florent Muslijës, realizoi golin e parë për 1-0. Edhe pse Lituania shënoi një gol të barazimit, VAR-i e anuloi atë për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, Kosova e dyfishoi epërsinë në minutën e 65-të. Pas një kombinimi të shkëlqyer mes Zhegrovës, Rashicës dhe Krasniqit, ky i fundit shënoi një super gol për 2-0.
Kosova pati mundësi të rrisë epërsinë në minutën e 75-të, por gjuajtja e Rrahmanit përfundoi ngjitur me shtyllën. Ndërsa në minutën e 84-të, një gabim nga Amir Saipi lejoi Lituaninë të shënojë me Paulius Golubicka, duke e bërë rezultatin 2-1.
Pas kësaj fitoreje, Kosova mban vendin e dytë në grup me 6 pikë, të barabarta me Rumaninë, e cila do të përballet me Qipron sonte.