Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave, e ka fituar ndeshjen e parë të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022”.
“Dardanet” të enjten në mbrëmje triumfuan në duelin e parë në kuadër të Grupit A kundër Qipros me rezultatin 30:21.
Përfaqësuesja e Kosovës që nga fillimi nuk pati fare probleme duke krijuar epërsi solide. Pas 17-të minutash Kosova krijoi epërsi prej 8:4.
Në pushim mes pjesëve shkoi me pesë gola dallim, 14:9, që ishte edhe epërsia më e lartë, raporton Koha.
Në pjesën e dytë, të besuarat e përzgjedhësit Agron Shabani vazhduan lojën e mirë dhe triumfuan në fund me nëntë gola dallim.
Te Kosova në këtë ndeshje që pati mungesa të shumta, debutoi Njoma Zogaj që zhvillon karrierën në Danimarkë, njëjtë si motrat Marigona e Arlinda Hajdari.
Arlinda dhe Njoma ishin më të dalluarat te Kosova me nga shtatë gola, katër gola pati Albina Rugova Tahirukaj, Pashke Marku dhe Marigona Hajdari shënuan nga tri sosh. Fitore Aliu e Meltem Ylberi shënuan nga dy gola, ndërsa me nga një gol në fitore kontribuuan Suzana Ujkiq dhe Aida Stagova.
Te Qipro më e mira ishte Magdalini Papa me 11 gola.
Ndeshja e radhës për Kosovën do të luhet të premten kundër Luksemburgut, ndërsa të shtunën ballafaqohet me Portugalinë.
Vetëm vendi i parë i grupit kualifikohet në kualifikimet e rregullta.