Dyert e Këshillit të Evropës vazhdojnë të jenë të mbyllura për Kosovën, pavarësisht “dritës së gjelbër” që ky institucion i dha kosovarëve muajin e kaluar.
Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, nuk do të shqyrtojnë aplikimin e Kosovës për tu anëtarësuar në këtë organizatë as në mbledhjen që do të mbahet këtë javë, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse gjasat ishin të mëdha për Kosovën një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë së shpejti, ani pse në prill të këtij viti Asambleja Parlamentare e KiE-së miratoi raportin e Dora Bakoyannis e cila rekomandon fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
Pas miratimit të raportit të Dora Bakoyannis në Asamblenë Parlamentare nisën kërkesat për lëvizje para, lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse një gjë e tillë nuk kërkohej në raportin e raportueses për Kosovën.
Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, tha Kurti.
Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE-në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.
“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë procesin e anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjell tek ne nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit aneksit të Ohrit dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm por u refuzua nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka deklaruar se derisa Kosova ka shprehur gatishmërinë të zbatojë të gjitha marrëveshjet, teksa Serbia s’po e bën këtë.
“Duam të respektojmë çdo marrëveshje që e kemi arritur në dialog. Por, si në të gjitha kontratat tjera, ka dy palë, e nëse njëra palë nuk zbaton asnjë pikë por minon marrëveshjet, e në rastin e Serbisë thotë publikisht se s’do të zbatojë e se nuk e pranon marrëveshjen, atëherë shtrohet pyetja nëse kemi një marrëveshje. I kemi kërkuar BE-së që palët të zbatojnë paralelisht marrëveshjen. Ne nuk po u ikim obligimeve që vijnë nga marrëveshja, por Serbia duhet të zbatojë në të njëjtën kohë”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka shtuar se obligimi i Kosovës nga marrëveshja, është krijimi i një Asociacioni ndër të tjera, por është me kushtin që Serbia ta bëjë njohjen de facto paralelisht.
Ajo është ankuar se derisa Serbisë s’po i bëhet presion, Kosovës po i vendoset edhe kusht që për anëtarësim në Këshill të Evropës të themelohet Asociacioni.
“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës, kemi kaluar me sukses dy fazat e para, e tash po na thuhet se duhet zbatuar Asociacioni. Kur e pyesim nëse Serbia do ta bëjë zbatimin paralelisht e do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill, askush nuk po i kërkon ta bëjë këtë. Kemi një mungesë totale të baraspeshës që e minon kredibilitetin e dialogut. Njëra palë po implementon marrëveshjen ku është kuptimi i marrëveshjes e dialogut, nëse është kështu pse ulemi me Serbinë, pse i nënshkruajmë këto marrëveshje?”, tha presidentja Osmani.
Osmani ka thënë se Asociacioni nuk ndihmon të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Ajo ka thënë se asnjë vend në Evropë nuk garanton më shumë të drejta kushtetuese për minoritete sesa Kosova.
Asociacioni – obligim i Kosovës?
Hulumtuesi i politikës së jashtme, Emir Abrashi, tha për Gazetën Enigma se kushtëzimi për integrimin e Kosovës në KiEme Asociacionin, nuk mund të quhet padrejtësi, pasiqë vendi e ka obligim themelimin e saj, pasi rrjedh nga një marrëveshje ndërkombëtare e cila është ratifikuar në Kuvend.
“Në këtë rast nuk mund të flasim për çka është e drejtë e çka e padrejtë, pavarësisht faktit të Asambleja Parlamentare e KiE i ka dhënë mbështetje aplikimit të Kosovës, aq më tepër kur kemi parasysh që vendimmarrja në Këshillin e Ministrave është proces i ndarë. Për më tepër, raporti i Dora Bakoyannis në mënyrë të qartë e ka ilustruar që Kosova nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme drejt formimin e Asociacionit. Në anën tjetër, formimi i Asociacionit është një obligim i Kosovës, i cili derivon nga një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha Abrashi.
Tutje, ai tha se Kosova ka pasur kohë që ta implementoj Asociacionin në përputhje me Kushtetutën, por sipas tij, në vend të kësaj, kanë zgjedhur që ta zvarrisin këtë proces, për ta përdorur për politikë të brendshme.
“Kosova në këtë rast nuk mund të fajsojë askë kur kemi parasysh që në planin e brendshëm, nuk i kemi përfunduar obligimet tona, pavarësisht se deri më tani kemi pasur momentume të favorshme për ta implementuar marrëveshjen për Asociacionin duke u siguruar që kjo të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke mos u shndërruar në pushtet të tretë, duke mos pasur kompetenca ekzekutive si dhe duke mos cënuar karakterin unitar të Republikës. Kosova ka vendosur që të zvarrisë formimin e këtij entiteti dhe të njëjtin ta përdorë për nevoja të politikës së brendshme. Mirëpo, kjo në asnjë formë nuk nënkupton që Kosova do të mund t’i shmanget këtij obligimi. Për më tepër, me kalimin e kohës, momentumet do të vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më të pafavorshme për Kosovën, ndërkohë që presioni për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin do të vazhdojë të rritet”, tha ai.
Sipas Abrashit, situata në të cilën ndodhet kryeminsitri, në vendimmarrjen “ o Asocacioni, o Këshilli i Evropës”, është thikë me dy teha, pasiqë çdo vendim që mirret, do të ketë paknaqësi në vend.
“Kjo është një thikë me dy teha për Kurtin. Cilindo veprim që e ndërmerr, do të ketë pakënaqësi brenda vendit. Prandaj, marrë parasysh atë që thash më sipër, unë gjykoj se Kosova duhet të fillojë sa më parë procesin e formimit të Asociacionit, duke u siguruar që ky entitet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit, pasi që edhe nëse e shtyen për vitin tjetër, gjasat që të hiqet kjo kërkesë nga tryeza janë të vogla, në mos zero”, tha ai.
“Shtyerja për vitin tjetër nuk jep asnjë garanci që mbështetja për Kosovën do të vazhdojë të jetë aq e madhe sa ç’ka qenë deri më tani. Prandaj, gjykoj se gjëja më e mirë do të ishte që të dorëzohej drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese, dhe të fillohen procedurat për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke i hapur rrugë kështu anëtarësimit të Kosovës në KiE sivjet”, përfundoi Abrashi në prononcimin për Gazetën Enigma.
“Kosovës po i bëhet padrejtësi”
Ndryshe vlerëson politologu Fidan Ukaj, ku vendosjen e kushtit për themelimin e Asociacionit, e sheh si padrejtësi, pasiqë fillimisht, ky kusht nuk ishte kërkesë e KiE për integrimin e vendit në këtë organizatë.
“Vendosja e kushtit për Asociacionin është kusht i padrejtë në rrugën e Kosovës për në KiE dhe raporti i zonjës Bakoyannisnuk e thotë se duhet formuar Asociacioni e po ashtu edhe asambleja parlamentare e kaloi duke mos e vënë këtë kusht. Megjithatë, tanimë vendet e QUINT siç duket rrugën e Kosovës për në KiE duan ta kushtëzojnë me formim të Asociacionit e qëmendoj se po i bëhet një padrejtësi Kosovës. Kosova ka marrëobligim për themelimin e Asociacionit por se vendosja si kusht në rrugën e Kosovës për në organizata ndërkombëtare është dhe mbetet një padrejtësi”, tha Ukaj për Gazetën Enigma.
Në lidhje me këtë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ballafaqimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një dështim për Kosovën, por jo fitore për Serbinë.
Haziri e krahasoi kushtëzimin e ndërkombëtarëve në lidhje me anëtarësimin në KiE me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se, sot kjo situatë e ka kthyer vendin në vitin 2017.
“Kërkesë shtesë ka qenë prej BE-së ligji për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, por Kurti e ka shfrytëzuar për konsum të brendshëm dhe ia ka vonuar Kosovën liberalizimin 6 vjet. Kjo ka ardhur si kërkesë e NATO-s, për nevojën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, s’ka pasur lidhje me Kosovën”, tha Haziri.
“Nuk kemi mundur ta menaxhojmë sepse VV-ja dhe partnerët atë kohë të opozitës e kanë shfrytëzuar për konsum të brendshëm. Sot, situata me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e ka kthyer Kosovën në vitin 2017”, tha Haziri.
Tutje, ai tha se Qeveria Kurti në tri vjet qeverisje ka pasur mungesë koordinimi me partnerët ndërkombëtarë në çështjen e interesit të përbashkët.
“S’ka pasur veprime të njëanshme, por situatat e reja që janë krijuar në Kosovë, janë krijuar jashtë koordinimit me partnerët. Koordinimin e vetëm e kemi pasur më 24 shtator në rastin e Banjskës kur u sulmuam nga grupi terrorist dhe reagimi ka qenë i koordinuar”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma/