Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të paraqitet për herë të parë në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Sipas njoftimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese do të zhvillohen më 18/19 dhe 21/22 mars të vitit të ardhshëm.
Në këtë fazë do të garojnë 16 ekipe përfaqësuese, ndërsa tetë prej tyre do të kalojnë në raundin e tretë, që është gjithashtu dhe faza përfundimtare e kualifikimeve për Botërorin 2027.
Kosova do të jetë në vazon e dytë të shortit, së bashku me Sllovakinë, Lituaninë, Belgjikën, Finlandën, Izraelin, Turqinë dhe Letoninë.
Në vazon e parë do të jenë Greqia, Bosnjë-Hercegovina dhe gjashtë përfaqësueset që përfundojnë në vendet e fundit në grupet e Euro 2026. Kosova do të përballet me një ekip nga kjo vazo e parë.
Shorti për fazën e dytë do të tërhiqet pas përfundimit të fazës së parë grupore të Euro 2026, e cila zhvillohet nga 15 janari deri më 1 shkurt në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi.
Kosova arriti të kualifikohet në raundin e dytë duke fituar të dy ndeshjet ndaj Britanisë së Madhe, me fitoren vendimtare të siguruar të dielën mbrëma në Prishtinë.
