Kosova ndër dy vendet më të varfra në Evropë, Hamza: Tregon qartë kah po rrëshqet vendi

Kosova ndër dy vendet më të varfra në Evropë, Hamza: Tregon qartë kah po rrëshqet vendi

Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar pasi Kosova u rendit si vendi i dytë më i varfër në Evropë, prapa Moldavisë.

Hamza tha se ky është një lajm “që duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse tregon qartë kah po rrëshqet vendi ynë”.

“Kjo është pasqyra e përditshmërisë së familjeve tona, e qytetarëve që po e kanë çdo ditë më të vështirë ta përballojnë jetën, e të rinjve që po e humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen këtu”.

I pari i PDK-së e akuzoi partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se viteve të fundit, energjia e pushtetit është harxhuar “në përçarje, propagandë dhe konflikte të pafundme politike”, ndërkohë që qytetarët kanë mbetur të vetmuar përballë çmimeve të larta, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës.

“Kosova ka nevojë për një kthesë të madhe. Nëse kjo gjendje vazhdon edhe pak, pasojat do të jenë afatgjata”, tha Hamza.

“Për kthim kah bashkëpunimi, puna, zhvillimi dhe partneriteti me miqtë tanë. Ka nevojë për institucione serioze që punojnë për mirëqenien e secilit qytetar, për stabilitetin e shtetit dhe për një jetë më të mirë për familjet tona”, u shpreh më tej ai.

“Ky vend meriton më shumë. Dhe unë besoj se bashkë mund t’ia kthejmë Kosovës drejtimin e duhur, para se të bëhet tepër vonë”, përfundoi Hamza.

Related Articles