Populli shqiptar është “shokuar” nga kërkesa e Prokurorisë në Dhomat e Specializuara që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me 180 vjet burgim për veprat për të cilat akuzohen, shkruan Gazeta Enigma.
Kërkesa në paketë e Prokurorisë tenton që të dënojë katër ish-krerët e UÇK-së me nga 45 vjet burgim secilin.
Një kërkesë e tillë ekstravagante u përcoll me kritika të ashpra nga i gjithë spektri shqiptar.
Presidentja Vjosa Osmani tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte e drejtë dhe e pastër.
“Çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresionit gjenocidal serb minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”, shkroi Osmani.
Kurse Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kërkesa e prokurorisë nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit.
“Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, tha Kurti.
Pa reaguar s’mbeti as Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai reagoi ashpër me fjalor të rëndë, duke shkruar:
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej se nga buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe, si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxori sot ajo prokurori në zemër të Evropës demokratike!”
Sa zë vend kërkesa e Prokurorisë për 180 vjet burgim?
Njohësi i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, thotë se kërkesa e Prokurorisë nuk ka bazë ligjore.
Në një prononcim për Gazetën Enigma, Nrecaj tha se edhe po të konsideroheshin të gjitha argumentet e Prokurorisë si të vërteta, nuk do të shqiptohej një dënim prej 45 vitesh.
“Kjo është një fontanë dëshirash e Prokurorisë. Është më shumë në vijë me një kërkesë politike sesa me aspektin ligjor. Në procese të tilla gjyqësore gjithmonë zbatohet ligji më i favorshëm. Dhe sipas kësaj praktike, dënimi maksimal mund të shqiptohet deri në 15 vjet burgim. Nuk ka bazë ligjore”, tha Nrecaj.
Çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës dhe a do të funksiononte zhbërja e Gjykatës Speciale?
Tani që deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen nesër për konstituim, në mendjen e gjithësecilit shkon edhe opsioni për zhbërjen e institucionit të Gjykatës Speciale, e cila kërkon miratim nga 2/3 e 120 deputetëve.
Njohësi i ligjeve, Nrecaj, thotë se faktikisht mund të ndodhë zhbërja nga ana e Kuvendit, por se ligjërisht dhe teknikisht është e pamundur.
“Është një obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë për krijimin e kësaj gjykate. Nëse ne nuk do ta krijonim një gjykatë të tillë, atëherë për këto çështje do të duhej që mekanizmat ndërkombëtarë ta krijonin një gjykatë ndërkombëtare, njëjtë sikur për ish-Jugosllavinë. Kjo do të ishte e papranueshme, edhe në aspektin politik, edhe në atë të zbatimit të drejtësisë”, deklaroi Nrecaj.
Ai shton se edhe nëse do të votohej zhbërja, do të duhej të kishte koordinim jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe me organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
“Sepse kjo ka edhe efekt politik. Edhe nëse do të votohej zhbërja, ajo nuk mund të ndodhë menjëherë të nesërmen. Do të merrte kohë i gjithë procesi i zhbërjes. Me një fjalë, nga ana e Kosovës do të ishte kthim mbrapa në vitin 2010”, u shpreh më tej Nrecaj.
“Është tepër vonë…”
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë për “Enigmën” se shfuqizimi i Gjykatës Speciale “është dashur të bëhet qysh në momentin kur kjo gjykatë devijoi nga ajo për çka është themeluar dhe atëherë, për një arsye ose tjetër, nuk është bërë, ndonëse ka pasur përpjekje”.
Muhaxheri kujton 23 dhjetorin e vitit 2017, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme. Atë natë u tentua të votohej shfuqizimi i Ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale, çka do të nënkuptonte edhe zhbërjen e saj.
Mirëpo kjo nismë mbeti vetëm tentim, pasi nuk doli fare në votim, për shkak të reagimit të fuqishëm dhe madje “kërcënues” nga autoritetet ndërkombëtare, si dhe për shkak të qëndrimit kundërshtues të opozitës së asaj kohe, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte shkruar se një vendim i tillë do ta dërgonte Kosovën larg Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Një vendim për revokimin e Gjykatës Speciale do të shënonte një pikë kthese larg sundimit të ligjit, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosovë, mos e zgjidhni atë të ardhme për fëmijët tuaj!”, kishte shkruar Delawie.
Ai madje kishte deklaruar se ajo që po tentohej të bëhej ishte “thikë pas shpinës së ShBA-së”.
Muhaxheri thotë se në këtë fazë, kur gjykimi është drejt fundit, “është tepër vonë”.
“Krejt çka mund të bëhet nga Kuvendi i ri është të krijojë mekanizma kontrolli mbi Gjykatën Speciale për mënyrën se si po sillet dhe si po vepron kundrejt ish-ushtarëve të UÇK-së”, tha Muhaxheri.
Sa i përket kërkesës për dënim prej 45 vjetësh për secilin të akuzuar, Muhaxheri e quan atë “absurditet”.
“Kjo lloj kërkese për dënim kapital tregon se sa pa argumente ka operuar ajo gjykatë dhe se çfarë qëllimi ka pasur, i cili ishte kryekëput politik”, deklaroi ai në fund.
Çka pas verdiktit?
Nëse Gjykata shpall të pafajshëm katërshen e famshme të UÇK-së, ata do të lirohen dhe madje mund të dëmshpërblehen për kohën e kaluar në paraburgim.
Por, nëse katër të akuzuarit dënohen, atëherë ata mund të ankohen në disa shkallë të gjyqësorit.
Pas verdiktit, palët do të mund të ankohen në Gjykatën e Apelit, pastaj në Gjykatën Supreme dhe, në fund, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Të gjitha këto brenda kornizave ligjore të Kosovës. /GAZETA ENIGMA
