Sot, 3 korrik, është ditë zie në Kosovë, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, që vdiq dy ditë më parë.
Vendimi u mor të martën nga presidentja Vjosa Osmani.
Dita e zisë është shpallur për ditën kur do të bëhet varrimi i Kadaresë në Tiranë.
Gjatë ditës sot, me fillim prej orës 11:00 në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative në respekt të jetës dhe veprës së Kadaresë.
Presidentja Vjosa Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e pati dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, e shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Në Shqipëri janë shpallur dy ditë zie, e marta dhe e mërkura. Në orën 9 në mëngjes në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të nisin homazhet publike, për të vazhduar me ceremonitë tjera shtetërore të lamtumirës.
Mjeshtri i rrallë i fjalës së shkruar, pas një sulmi në zemër vdiq paraditen e së hënës. Ai ishte 88 vjeç. Prej gjigantit të letërsisë e deri te romancieri që ia zbuloi shqiptarët botës, qenë epitetet globale që mori pak pas vdekjes. / Gazeta Enigma.