osova i është bashkuar Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA) në fushatën mbarë-evropianë për të ndaluar murtajën afrikane të derrave (ASF).
Fushata “#StopASF” e cila ka nisur që katër vjet, po rritë ndërgjegjësimin e fermerëve, gjuetarëve dhe veterinerëve në 18 vende evropiane, duke përfshirë Kosovën, për këtë sëmundje shumë ngjitëse, duke i inkurajuar ata të ndërmarrin veprime për të ndaluar përhapjen e saj.
“Gjatë dekadës së fundit, murtaja afrikane e derrave ka pasur një ndikim dramatik në sektorin evropian të rritjes së derrave dhe vazhdon të prishë ekonomitë lokale dhe rajonale. Ndërsa shifrat e fundit tregojnë shenja inkurajuese se përpjekjet për të ndaluar përhapjen e virusit mund të kenë efekt, situata në të gjithë Evropën në përgjithësi nuk është aspak pozitive dhe ne duhet të qëndrojmë vigjilentë. Fermerët, gjuetarët dhe veterinerët kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm për të luajtur në raportimin e rasteve të dyshimta”, tha Bernhard Url, Drejtori Ekzekutiv i EFSA-s.
Fushata inkurajon fermerët, veterinerët dhe gjuetarët që të identifikojnë, parandalojnë, raportojnë rastet e ASF-së te derrat dhe derrat e egër.
Në Kosovë fushata drejtohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
“Edhe këtë vit sikur dy vitet e mëparshme, jemi të lumtur që jemi pjesë e shteteve të përfshira në kampanjën kundër ASF. Për dallim, këtë vit Murtaja Afrikane e Derrave, ndonëse jo prezente, është më afër kufijve të vendit tonë. Andaj, urojmë që gjithçka të shkojë ashtu si edhe vitet paraprake dhe të arrijmë ndërgjegjësimin dhe ndikimin në audiencën përkatëse. Angazhimi nga ana jonë, padyshim nuk do të mungojë andaj edhe shpresojmë për korrjen e rezultateve pozitive”, deklaroi Flamur Kadriu, zëvendëskryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Në vitin 2022, numri i shpërthimeve të ASF në derra dhe popullatat e derrave të egër ra ndjeshëm në vende të tilla si Rumania, Polonia dhe Bullgaria krahasuar me një vit më parë, sipas një raporti të ri të publikuar nga EFSA. Megjithatë, ASF u rikthye në Greqi dhe Çeki dhe vazhdon të përhapet në vendet fqinje me BE-në si Serbia dhe Moldavia. Është shfaqur në Maqedoninë e Veriut për herë të parë në vitin 2022.