Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të enjte ka njoftuar se ka nënshkruar amendamentin e katërt të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Osmanit ky amendament parasheh fitimin shtesë të 31,994,644 dollarëve, raporton Gazeta Enigma.
“Edhe 32 milionë dollarë shtesë nga populli amerikan për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.
Tutje ajo ka njoftuar se “bashkë me drejtoren e USAID Kosovo, znj. Zeinah Salahi e në prezencë të Ambasadorit Amerikan Jeffrey Hovenier, sot kam nënshkruar amandamentin e katërt të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili parashehë fitimin shtesë të 31,994,644 dollarëve. Në këtë mënyrë, granti total ka arritur vlerën prej mbi 73.4 milionë dollarë”.
Osmani ka theksuar se mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së për popullin e Kosovës është dëshmi përkushtimi ndaj nesh.
“Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të qeverisë dhe popullit amerikan për të përforcuar mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes institucioneve efektive dhe llogaridhënëse”, ka shkruar ajo.
Tutje Osmani ka thënë se “Kosova është e bekuar me aleatët e saj”./Gazeta Enigma/