Kosova pjesë e takimit të Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit

Kosova pjesë e takimit të Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit

Me ftesë të Sekretares për Punë të Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, u mbajt takimi i radhës i Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ku mori pjesë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Nën udhëheqjen e Shabana Mahmood, Sekretare për Punë të Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, në këtë takim u zhvilluan tri sesione pune, ku u prezantuan angazhimet e Republikës së Kosovës në fushën e bashkëpunimit rajonal të sigurisë.

Ministri Sveçla vuri në pah përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin në rajon, pavarësisht sfidave të vazhdueshme.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe aktive në Procesin e Berlinit, duke kontribuar në thellimin e bashkëpunimit rajonal mbi parimet e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Sveçla.

Ai theksoi se Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm në forcimin e sigurisë, luftimin e grupeve kriminale dhe parandalimin e krimeve ndërkufitare në rajon.

Related Articles