Kosova U17 fiton edhe miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi

Kosova U17 fiton edhe miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi

Pas fitores 4:2 ditë më parë ndaj Malit të Zi, futbollistet e Përfaqësueses U17 të Kosovës kanë triumfuar edhe në miqësoren e dytë, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Në ndeshjen e luajtur të enjten, Kosova e mposhti Malin e Zi me rezultatin 3:0.

Edhe në këtë ndeshje, futbollistet kosovare kanë shkëlqyer dhe çështjes së fituesit i dhanë fund në pjesën e parë. Shenarta Bela (11’), Sahare Berisha (17’) e Albina Gegaj (27’) shënuan për fitoren e “Dardaneve” të reja. Këto dy miqësore i kanë shërbyer Kosovës për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet kualifikuese të Evropianit që mbahen muajin tjetër në Shqipëri.

Kosova është në Grupin 2 të Ligës B, të cilin e përbëjnë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Moldavia. Ndeshjet e këtij grupi do të luhen prej 18 deri më 24 shtator.

Related Articles