Kosova U19 ka pësuar humbje me rezultat të ngushtë 2-1 ndaj Spanjës U19 në kuadër të ndeshjes së dytë në Elite Round për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024.
Kosova asnjëherë gjatë këtij takimi nuk u tregua inferiore ndaj kundërshtarit duke sulmuar në disa raste portën e spanjollëve.
Elvir Gashijani (2’) dha shenjat e para për Kosovën me një gjuajtje që e detyroi portierin kundërshtar të intervenojë.
Në harkun e dy minutave (24’ dhe 26’) portieri Erion Avdija ia mohoi dy herë golin Spanjës duke e mbajtur portën të paprekur.
Golin e epërsisë Spanja e gjeti me anë të Daniel Munoz, i cili shënoi në minutën e 34-të për rezultatin 1-0.
‘La Roja’ dyfishuan epërsinë në pjesën e dytë me anë të një goli nga mbrojtësi Pol Fortuny që shënoi për 2-0 në minutën e 51-të.
Kosova u rikthye në lojë pas golit të jashtëzakonshëm që e shënoi Eliot Bujupi në minutën e 77-të nga gjuajtja e lirë për 2-1.
Sidoqoftë, ky gol nuk ishte i mjaftueshëm për të evituar humbjen, dhe Kosova mori humbjen e parë në kuadër të Elite Round.
‘Dardanët’ do të rikthehen përsëri në aksion ditën e martë, ku do të luajnë në udhëtim ndaj Sllovenisë.