Kozniku: Bllazheviq, baba i futbollit

Kozniku: Bllazheviq, baba i futbollit

Ardian Kozniku e ka të vështirë ta përshkruajë me pak fjalë figurën e Qiro Bllazheviqit, trajnerit legjendar të Kroacisë.

Bllazheviq vdiq të mërkurën në moshën 87-vjeçare, ndërsa me Kroacinë fitoi medaljen e bronztë në botërorin “Franca 1998”. Pjesë e asaj gjenerate të udhëhequr nga Bllazheviq ishte edhe Ardian Kozniku.

Kozniku nuk luajti në Botëror, por është krenar që i takon asaj gjenerate të suksesshme që për selektor e kishte Bllazheviqin.

Kozniku për Bllazheviqin thotë se ka qenë trajner i trajnerëve.

“Ka qenë trajner i trajnerëve. Kam shtatë ndeshje nën drejtimin e tani të ndjerit Qiro Bllazheviq. Kam luajtur për kualifikimet e Evropianit të vitit 1996. Ai ka bërë krenar shtetin, popullin e vet, ndërsa unë si Ardian Kozniku jam krenar që kam qenë pjesë e më të mirëve të Kroacisë. Atë e kemi thirrur si baba. Ai është baba i futbollit. Kam pasur kontakte edhe pas përfundimit të Botërorit 1998. E ka bërë krenar shtetin e vet, ndërsa unë popullin tim shqiptar”, ka thënë Kozniku të mërkurën për Kohën.

Kozniku, 55-vjeçar, për Kroacinë ka shënuar dy gola në shtatë paraqitje. Te Kroacia ka punuar vetëm me Bllazheviqin.

Kozniku ndodhet në Kroaci, pasi javën e kaluar shkëputi kontratën me Al-Arabin e Kuvajtit, ku ishte ndihmëstrajner.

“Është humbje e madhe për të gjithë. Ai ka pasur diçka që shumë pak trajnerë e kanë. Ka qenë motivues i madh. Është vështirë të përshkruhet me dy fjalë figura e tij. Ka pasur ndikim të madh, ndonëse ne vinim nga klube të mëdha. Por asnjëherë nuk ka pasur pakënaqësi”, ka theksuar Kozniku.

Kozniku i është mirënjohës Bllazheviqit për mundësinë për të qenë pjesë e një gjenerate të artë të Kroacisë.

Kozniku thotë se Bllazheviq ka pasur respekt të veçantë për shqiptarët.

“Ka pasur respekt ndaj shqiptarëve, por edhe shqiptarët e kanë dashur shumë. Ai ka mundur të shkojë në shumë skuadra para Prishtinës. Por ka pranuar ta drejtojë Prishtinën. Ai ka qenë njeri i respektueshëm deri në frymën e fundit. Jam i lumtur që kam pasur mundësi të jem pjesë e ekipit të tij. Nuk mund ta përshkruash figurën e tij me një libër. Falënderoj që ma ka dhënë rastin të jem pjesë e historisë së popullit kroat si kosovar. Ka mundur edhe të mos më ftojë, por ai nuk ia ka humbur djersën dhe meritën askujt. Ai do të mbahet mend për anët pozitive që i ka pasur. Ai ka qenë njeri i popullit”, ka thënë Kozniku.

Kozniku ka pasur karrierë të madhe si lojtar.

Related Articles