Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka filluar me procesin e shkatërrimit të materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet dhe formularët e rezultateve.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili ka dhënë detaje para mediave lidhur me këtë proces.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me shkatërrimin e materialit zgjedhor të Zgjedhjeve Lokale që u mbajtën në tetor dhe nëntor të vitit 2021. Sipas vendimit të KQZ-së, pjesë të materialit që do të shkatërrohet janë fletëvotimet, formularët e rezultateve; listat e votuesve dhe tjera”.
“Marrë në përgjithësi, është planifikuar të shkatërrohet materiali zgjedhor i më shumë se 2 mijë e 200 vendvotimeve”, deklaroi Elezi.
Ai shtoi se nga ky proces do të ketë edhe përjashtim të disa materialeve zgjedhor.
“Nga ky proces do të përjashtohet materiali zgjedhor i rreth 280 vendvotimeve dhe këtu përfshihen edhe materialet që i takojnë procesit të votimit me kusht dhe atij me postë”.
Elezi potencoi se vendvotimet do të ruhen si prova për qëllim të hetimit nga Prokuroria.
“Këto materiale zgjedhore u takojnë komunave të ndryshme dhe do të ruhen si prova për qëllime të hetimit nga institucionet përkatëse shtetërore dhe deri në përfundimin e të gjitha çështjeve”.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë ishin mbajtur më 17 tetor, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kishin shënuar fitore, ndërsa 21 komuna kishin shkuar në raundin e dytë të zgjedhjeve.