KQZ merr vendim për ndalimin e mjeteve ndaj partive që PZAP-i ka shqiptuar gjoba

KQZ merr vendim për ndalimin e mjeteve ndaj partive që PZAP-i ka shqiptuar gjoba

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndalimin e mjeteve për subjektet politike parlamentare ndaj të cilave Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, raporton Gazeta ‘Enigma”.

Tutje KQZ përmes një njoftimi për media kanë deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka gjobë të vlerë të 212,500  eurove, PDK ka 144,500 euro, LDK ka 136,600  euro dhe ka paguar 65,000 euro, AAK-Nisma ka 72,300 euro, si dhe Slobodu, Pravdu i Opstanak ka 3,500 euro gjobë.

“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për ndalimin e mjeteve për subjektet politike parlamentare ndaj të cilave Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Mjetet e ndaluara nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike do të transferohen në xhirollogarinë e PZAP-it dhe vendimi i KQZ-së do të zbatohet me tri ndalesa gjatë ndarjes së mjeteve, në tre tremujorët e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, u theksua se mbledhjen e 33-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi,  thuhet se u mor vendim për lirimin e 3,716 kutive të votimit, në të cilat ndodhet materiali zgjedhor nga procese të ndryshme zgjedhore që përfshijnë periudhën 2014 – 2021.

”Sipas vendimit të KQZ-së, materiali zgjedhor që ndodhet në këto kuti, të cilat janë objekt i hetimit nga institucionet e drejtësisë, do të vendoset në thasë të veçantë nga një komision i përkohshëm dhe sipas procedurës së caktuar. Zbatimi i këtij vendimi do të lirojë edhe hapësirën e depos së KQZ-së me qëllim të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen gjatë këtij viti. Sipas të dhënave, kutitë e votimit i përkasin proceseve të ndryshme zgjedhore, lokale dhe parlamentare, të zhvilluara gjatë viteve 2014 (380 kuti), 2017 (614 kuti), 2019 (761 kuti) dhe 2021 (1,961 kuti)”, njofton KQZ. /Gazeta Enigma/

Related Articles