Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, nuk është çertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit, raporton Gazeta Enigma.
Kjo pasi që Rama ka aplikuar me letërnjoftim të UNMIK-ut dhe jo me atë të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, ai e ka një mundësi për përmirësimin e aplikacionit të tij, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Gazetën “Enigma” se më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim e KQZ-së, ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë.
“Duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë. Kjo është një mundësi që e jep Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale, që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet brenda afatit të caktuar nga Zyra”, tha ai.
Elezi bëri të ditur se kjo zyrë ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha partitë politike, te të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet.
“Pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllim procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati. Si gjithmonë, mbledhjet janë të hapura për mediat dhe do të mund të përcjellin procesin e vendimmarrjes së KQZ-së”, përfundoi ai.