LVV ka kërkuar sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të shtyjë afatin për regjistrim të partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore në Kosovë.
Lidhur me këtë kërkesë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i ka thënë Gazetën Enigma se është duke u trajtuar një kërkesë e tillë.
“Ju njoftoj se çështja e ndryshimit të disa afateve të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, është duke u trajtuar dhe do t’iu njoftojmë me kohë gjatë ditës”, ka thënë Elezi.
Ai ka shtuar se deri sot në orën 14:00 KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.
“Subjekti politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Elezi.
Kujtojmë që kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, ndërsa deri më tani Lista Serbe nuk ka dorëzuar në KQZ kërkesë për certifikim.