Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për të rekomanduar emrat e personave të radhës për të plotësuar vendet e lira të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e Listës Serbe. Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, ka shkruar Elezi.
Pasi një ulëse të mbetet e zbrazët në parlament, kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Pas pranimit të kërkesës “presidenti duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë. KQZ-ja duhet që në afatin prej pesë ditëve të punës nga momenti i marrjes së kërkesës t’ia ofrojë presidentit emrin radhës së personit të ligjshëm”, thuhet në nenin 112.4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Mungesa e deputetëve serbë nuk e rrezikon funksionimin e legjislativit
Ende nuk dihet nëse zyrtarisht presidentja dhe KQZ-ja kanë filluar procedurat lidhur me zëvendësimin e 10 deputetëve serbë që kanë dorëzuar mandatet. Nga këto dy institucione nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje për Radio Kosovën. Ndërkohë, njohës të së drejtës kushtetuese dhe monitorues të Kuvendit thonë se jeta parlamentare mund të vazhdojë edhe pa deputetët serbë, por me disa pengesa.
Kuvendi i Kosovës, nga kjo e hënë është me vetëm 110 deputetë, 10 më pak se që duhet, pasi ata të Listës Serbe dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi të vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale në RKS dhe suspendimin e drejtorit të Policisë në veri të Mitrovicës.
Ende nuk dihet nëse zyrtarisht Presidenca dhe KQZ-ja, kanë filluar punën për zëvendësimin e 10 deputetëve të dorëhequr. Nga këto dy institucione, deri në përgatitjen e këtij materiali, nuk kanë kthyer përgjigje për Radio Kosovën, nëse kanë filluar ndërmarrjen e procedurave të parapara me Neni 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se sipas ligjit, deputetët e dorëhequr duhet zëvendësuar me deputetë të rinj, të partisë së njëjtë. Por, edhe nëse nuk ndodh kjo, Baraliu thotë se mungesa e deputetëve serbë nuk rrezikon funksionimin e legjislativit.
“S’ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. As nuk rrezikohet funksionimi i parlamentit, as asgjë. Sepse, ju e dini se kjo listë e këtyre deputetëve, të paktën në 3-4 muajt e fundit nuk kanë marrë fare pjesë në punimet e Kuvendit, pasi sa herë ka diçka që i urdhëron Beogradi, ata tërhiqen e rikthehen pastaj. Sido që të jetë, nuk rrezikohet asgjë për sa i përket funksionimit të sistemit parlamentar dhe legjislativ në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se Kuvendi mund të ketë telashe me zëvendësimin e deputetëve të komunitetit serb. Megjithëkëtë, mungesa e tyre nuk do të ndryshojë fort jetën parlamentare, veçse mund t’i pamundësojë ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimin e ligjeve me interes vital, thotë Cakolli për Radio Kosovën.
“Përveç ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të legjislacionit me interes vital, nuk ka çështje të tjera për të cilat nevojitet domosdoshmërish edhe një shumicë e kualifikuar e komuniteteve. Marrëveshjet ndërkombëtare mund të kalohen me 80 vota edhe vetëm nga radhët e komunitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera jo serbe. Mirëpo, në rastin tonë, do të jetë më problematik fakti se si do të procedohet me disa çështje për të cilat ka nevojë për një konsensus më të gjerë si: reforma zgjedhore e vettingu në drejtësi, për çka nevojiten potencialisht ndryshimet kushtetuese”, tha ai.
Pasi një ulëse të mbetet e zbrazët në parlament, kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Pas pranimit të kërkesës “Presidenti duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë. KQZ-ja duhet që në afatin prej pesë ditëve të punës nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë presidentit emrin radhës së personit të ligjshëm”, thuhet në Nenin 112.4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.