LVV ka kërkuar sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të shtyjë afatin për regjistrim të partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore në Kosovë.
Lidhur me këtë kërkesë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i ka thënë Gazetën Enigma se është shtyrë afati për certifikimin të subjekteve politike dhe kandidatëve.
“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022. Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022”.
“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti në mënyrë elektronike mbledhjen e radhës, e cila ka përfunduar para orës 16:00. Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, ka thënë Elezi.
Mes tjerash, nga KQZ theksuan se kjo e fundit ka ndryshuar edeh afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet.
“Po ashtu, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022. Sa i përket afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike i ka fillur më 15 nëntor, ju njoftoj se deri tani, më 21 nëntor, KQZ-ja ka pranuar dy aplikime për certifikim”.
‘Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”. /Gazeta Enigma/.