Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të gjejë strehim për 5 mijë qytetarë ukrainas që janë shpërngulur dhunshëm nga agresioni rus.
Ndër të tjera ai ka thënë se Kosova është produkt i forcave qytetare liridashëse e që e kupton domethënien e një agresioni të tillë ndaj lirisë dhe demokracisë.
“Njëkohësisht, PDK i bën thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa për të siguruar, në rast nevoje, strehimin e së paku 5000 qytetarëve ukrainas që janë shpërngulur dhunshëm nga agresioni rus. Republika e Kosovës është produkt i forcave qytetare liridashëse që e kupton shumë mirë domethënien e një agresioni të tillë ndaj lirisë dhe demokracisë”.
“Prandaj, ky moment duhet të shërbejë për të avancuar vlerat tona të përbashkëta dhe konsolidimin tonë të mëtejmë në kuadër të strukturave demokratike evropiane dhe perëndimore”, ka shkruar ai.
Poashtu, Krasniqi ka thënë se është emergjente që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Partia Demokratike e Kosovës e sheh emergjente nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si një hap kapital drejt integrimit të mëtejmë në kuadër të këtyre vlerave.
“I bëjmë thirrje qeverisë që të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të përshpejtuar këtë proces, aq më tepër kur uniteti i demokracive perëndimore dhe evropiane është në shkallën më të lartë ndonjëherë, duke sjellë një moment që nuk mund të kalojë pa u shfrytëzuar për të përmbushur aspiratat tona integruese”, ka shkruar më tutje ai”. /Gazeta Enigma/.