Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.
“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve”.
“Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin. PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!” ka shtuar ai.