Krasniqi: Me SHBA-të në krah Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat

Krasniqi: Me SHBA-të në krah Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat

Teksa James Rubin, njëri nga njerëzit më të afërt të Madeline Albright e Bill Klinton, ka filluar dëshminë në Gjykatën Speciale të Hagës, deklarime të ndryshme ka pasur në Kosovë, raporton Gazeta Enigma.

Kreu i PDK-së reagoi lidhur me dëshminë e Rubin, i cili sipas tij “po dëshmon me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë”, në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“James Rubin, diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, po flet në mbrojtje të Presidentit Thaçi dhe shokëve të tij. Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka shtuar se shqiptarët sot nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç drejtësisë, duke theksuar se Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre. Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!”, shkroi Krasniqi. / Gazeta Enigma.

Related Articles