Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka takuar sot në Bruksel emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, sot takova edhe të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe procesi dialogut, përfshirë draft-statuti i propozuar i Asociacionit, ishin tema të diskutimit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi tha se ia ka ripërsëritur qëndrimin emisarit që asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe të jetë pa kompetenca ekzekutive, si dhe ka kërkuar nga ai që të ndikojë në heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës.
“Edhe një herë, Emisarit Lajçak i ripërsërita qëndrimin tim dhe të PDK-së se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive”.
“Në takim, Emisarit Lajçak, poashtu, i kërkova që të ndikojë që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës!”, ka shtuar tutje Krasniqi.