Këtë të shtunë ka pasur të shtëna me armë zjarri në fshatin Baks të Skenderajt, teksa në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet kompetente policore.
Në rast ishin përfshirë disa persona, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri tre persona ishin të plagosur.
Dy persona ishin dërguar për tretman mjekësor në QKMF-Skenderaj, ku njëri prej tyre si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit kishte humbur jetën dhe mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij ndërsa i plagosuri tjetër është transferuar për tretman mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në Prishtinë.
Ndërkohë policia është njoftuar se një person tjetër kishte kërkuar tretman mjekësor në QKMF në Drenas dhe pas trajtimit fillestar mjekësor, në shoqërim të policisë është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në SHSKUK dhe është nën përcjelljen e policisë pasi që sipas informatave fillestare mund të jetë i dyshuar potencial në këtë rast.
Sipas Policisë, gjithashtu është arrestuar edhe një person tjetër dhe do të intervistohet në cilësinë e personit të dyshuar për përfshirjen në këtë rast.
Njësia e hetimeve Rajonale ka kryer bastisje në dy lokacione dhe ka sekuestruar dy armë, një armë automatike AK-47 dhe një pushkë gjuetie.
“Njësia e Hetimeve Rajonale së bashku me prokurorin e shtetit janë në vendin e ngjarjes ku është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në komunikatën e PK-së.