Krejt çka dihet deri më tani për natën e mbrëmshme të sulmeve ruse ndaj Ukrainës

Krejt çka dihet deri më tani për natën e mbrëmshme të sulmeve ruse ndaj Ukrainës

Nata e mbrëmshme në Ukrainë kaloi me sulme e tensione.

Nga sulmet ruse, centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, Zaporizhzhia, u raportua se u sulmua, në ndërkohë që Ukraina paralajmëroi rrezik të madh për tërë Evropën në rast se sulmohet ky central bërthamor.

Ndërsa autoritetet ukrainasesot në orët e para të mëngjesit raportuan se pas sulmit, centrali më i madhë bërthamor ra në “duart” e rusëve.

Përreth zonës së centralit kanë qenë duke u zhvilluar luftime prej disa ditësh. Autoritetet ukrainase njoftuan se sulmi nuk shkaktoi pasoja të mëdha sa të rrezikonte shkaktimin e një fatkeqësie bërthamore. Ekspertët raportuan se nuk ka rritje të nivelit të radioaktivitetit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian pas sulmit duke thënë se rrezikohet e gjithë Evropa.

Zelensky tha se bombardimi i këtij centrali bërthamor mund të shkaktojë fatkeqësi më të madhe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986 pasi ky central është më i madhi në Evropë.

Ndërsa, kryeministri britanik, Boris Johnson tha se do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në kompleksin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë.

Kurse, sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm, ka njoftuar se ka vendosur të aktivizojë Ekipin Amerikan të Reagimit ndaj Incidenteve Bërthamore.

Ndërkaq, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau foli me liderin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe dënoi sulmet, duke u bërë thirrje që ato “të pushojnë menjëherë”.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka prezantuar të enjten sanksione të reja kundër oligarkëve rusë dhe personave tjerë të rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

Negociatorët ruse dhe ukrainas të enjten thanë se kanë rënë dakord të organizojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.

SHBA dhe Britania e Madhe kanë miratuar sanksione shtesë që synojnë oligarkët rusë. Përveç kësaj, Amerika dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të ofrojnë qëndrim të përkohshëm për refugjatët që ikin nga Ukraina. /Gazeta Enigma/.

Related Articles