Krejt çka u tha në debatin mes dy kandidatëve Rama-Vitia

Krejt çka u tha në debatin mes dy kandidatëve Rama-Vitia

Dy kandidatët që po synojnë pozitën e të parit të kryeqytetit, Arben Vitia dhe Përparim Rama, janë përballur mbrëmë në një emision. Ata kanë komentuar programet e njëri-tjetrit, derisa kanë folur edhe për mundësinë e koalicioneve. S’kanë munguar as thumbat mes tyre.

Në fillim të emisionit, ka qenë kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, ai që ka thumbuar atë të Vetëvendosjes, Arben Vitinë, duke i thënë se ka pritur që të vijë së bashku me kryeministrin Albin Kurti edhe në këtë deba.

“Ne nuk i humbim kohë qeverisë, siç humb kohë qeveria tani me ju, ku e kemi kryeministrin e gjashtë ministra të tejrë të cilët humbin kohë me ju, a nuk janë duke kryer punë të tjera me Kosovë. Unë sot e pria edhe Kurtin këtu, mendova se po vjen me ju shoqëru”, është shprehur Rama.

Më pas, Rama ka paraqitur edhe disa pika të platformës së tij, duke thënë se kanë gjashtë pika kyçe që e lidhin qendrën e kryeqytetit me lagjet për rreth.

Sipas Ramës, njëra prej tyre është pika ku e lidhë lagjën Arbëria me qendrën e Prishtinës, e që sipas tij kostoja për të është 35 milionë euro.

“Njëra prej tyre është ku e lidh Arbërinë me qendrën e Prishtinës. Kostoja e saj për platformën e gjelbër, duke marrë parasysh që aty do të jetë edhe Salla Koncertale, parkingjet nëntokësore është 35 milionë euro”, është shprehur Rama në Rubikon në Klan Kosova.

Për këto projekte, Vitia ka thënë se do të krijonin vetëm kaos në komunikacion.

“Këto projekte që zoti Rama i prezantoi do të krijojnë vetëm kaos, nuk është vetëm kjo pjesë që i shqetëson qytetarët, ju prapë flisni për platformën por po të dilni në terren do të shihni se ka shumë rrugë të pashtruara, janë shkollat në gjendje të mjerueshme… Dhe kjo më lë të dyshoj se gjitha këto projekte janë projekte të një synimi të mirë nga një person, një njëri i mirë që ka qëllimin e mirë, por fatkeqësisht për shkak të rrethanave edhe politike në vendin tonë është një situatë e tillë kur Lidhja Demokratike e ka betejë politike ta fitojë Prishtinën në mënyrë që të bëjë edhe opozitë karshi qeverisë”, ka vazhduar Vitia.

Vitia pretendon se projektet e tij infrastrukturore për katër vjet do të kenë një çmim 150 milionë eurosh.

“150 milionë euro në infrastrukturë, për katër vjet, në infrastrukturë rrugore, e cila një herë e mirë do ta zgjidhë problemin duke hapur arterie të reja”, ka shtuar Vitia.

Vitia edhe ka ironizuar me programin e Ramës, duke thënë se pajtohet që programi i kundërkandidatit të tij të LDK-së, Përparim Rama, duket bukur por s’ia merr mendja se është i realizueshëm.

“Projekte mirë të dukura në rendera që duken sinqerisht mirë. Kur jemi te reklamat po të ishte garë reklamash sigurisht do të isha nga fundi. Por kur vjen puna të programi, është një program mos ta quaj si fontanë dëshirash. Por, synimi ynë në planin tonë është me zgjidhje konkrete dhe shkon drejt asaj që Prishtinën ta bëj të krahasueshme me kryeqytetet afër si me Shkupin, Tiranën ose me kryeqytete tjera të rajonit, por jo me Dubai. Të gjitha që janë paraqitur nga Rama që thotë se janë të kostuara,por nga ato që kam parë shumica thuhet se do të merren nga fondet IPA, por dihet se ato fonde nuk janë prapa dere”.

Rama iu përgjigj se projektet e tij janë të adaptueshme për lagjet e Prishtinës dhe për të sanuar kaosin, por se nuk e di pse Vitisë po i duket si për Dubain.

“Pse të duket Dubai?”, tha Rama.

“Në gjithë renderet tuaj që i keni prezantuar është një sfond i një qyteti që duket si Dubai”.

Gjatë debatit, Rama duke ju referuar programit të Vitisë, e zuri ngushtë këtë të fundit me pyetje rreth parkingjeve.

Rama thotë se në planin e Vitisë përmendet se do të ndërtohen 2600 parkingje me 1 milion euro. Rama e zuri ngushtë Vitinë duke e pyetur me çfarë kalkulimesh ka ardhur deri në këtë përfundim.

“I keni 2600 parkingje që keni prezantuar?”, pyeti Rama.

 “Në zonat për rreth”, u përgjigj Vitia.

“Dua të të pyes, për 2600 parkingje e keni koston mbi 1 milion euro. Çfarë parkingje janë këto, nëntokësore apo mbitokësore?”, vazhdoi pyetjen Rama.

“Mbitokësore”, tha Vitia.

“A janë vetëm lyerje të vijave apo çka janë?”, pyeti me ironi Rama.

“2600 parkingje ndërtesa me 1 milion euro? Të cilat janë parkingje ndërtesa, po i bie që për 2600 parkingje ju mendoni se mundeni me ndërtu për 15 euro për metër katror ndërtesa?”, vazhdoi Rama.

E kur Vitia e pa se është zënë ngushtë, tentoi ta zvarritë debatin.

“Vetëm një sekondë…”, tha Vitia.

“Kush ua ka kalkuluar sepse ju po punoni me ‘ekspertë’, çfarë kalkulime janë këto? Këto janë kalkulime të gabuara”, tha Rama.

 “1 milion euro për parkingje të cilat do të jenë në hyrje të secilit…”, tha Vitia.

“A e keni kalkulu?”, pyeti Rama.

“Po, ua tregova matematiken”, tha Vitia, edhe pse në fakt nuk e tregoi matematikën.

“Si ka sens me 1 milion euro të ndërtoni 2600 parkingje, me cfarë matematike? Po i bie 15 euro për metër katror”, tha Rama.

“Mos të kalojmë në ironi tani z. Rama”, vazhdoi Vitia. .

Megjithatë, Vitia nuk u përgjigj rreth kësaj çështje por u shfajësua duke thënë se theski do të jetë tek transporti publik.

“Është financim nga komuna e Prishtinës për parkingjet bazuar në planin e mobilitetin. Mbi të gjitha theksi do të jetë tek transporti publik”, sqaroi Vitia.

Mundësia për koalicione

Rama e Vitia kanë folur edhe për mundësinë e koalicioneve parazgjedhore.

Kandidati i LDK’së e ka hedhur poshtë mundësitë që LDK-ja të bëjë koalicion me ndonjë parti, kjo pasi që, sipas tij, janë të bindur se do të fitojn.

“Ne nuk do të bëjmë koalicione parazgjedhore, jemi të bindur se do të fitojmë sepse kemi qenë bashkë me qytetarin që gjashtë muaj”, është shprehur Rama.

Por, ai shtoi se u ka bërë ftesë të gjitha partive që ta shikojnë programin, në rast se, nëse ka diçka që mund të bëhet më mirë, atëherë do të ketë bashkëpunim për zgjidhjen e problemeve.

“Programin e kemi bërë publik moti. Kam qenë prej fillimit i hapur, kam thënë se kjo kampanjë duhet të jetë kampanjë e ideve dhe vazhdoj ta shoh si të tillë. Nuk shoh pengesa të aspekteve të partive të ndryshme”.

“Unë jam i vendosur që ne të bëhemi bashkë për të gjetur zgjidhjen e problemeve për qytetarët e Prishtinës”, është shprehur Rama, njofton Klankosova.tv.

Edhe kandidati i Vetëvendosjes ka thënë se s’do të ketë koalicione me asnjë parti para zgjedhjeve.

Por, ai tha se dyert do t’i hapë për bashkëpunim pasi ta shpallë fitoren.

“Ka pasë sulme të jashtëzakonshme në raport me shumë gjëra. Si Vetëvendosje nuk jemi ulur fshehtas apo kemi bërë koalicion nën tavolinë asnjëherë, pra nëse e kishim bërë do ta kishin marrë vesh të gjithë. Kjo është një shprehi që e kanë pasë subjektet tjera, por jo VV. Koalicion parazgjedhor jo, por pas zgjedhjeve dhe pas fitores një hapje totale me të gjitha subjektet politike”.

Në këtë drejtim Vitia u zotua se do të jetë bashkëpunues për të pranuar çdo projekt që është në të mirë të qytetarëve.

Ai tha se këtë praktikë e ndoqi edhe në kohën kur ishte drejtor i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës.

Gjatë debatit, kandidati i LDK-së për Prishtinën Përparim Rama ka thënë se në ekipin e tij, nëse do ta fitojë garën e balotazhit, do të ketë edhe drejtorë që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë e kam listën e emrave dhe para dy muajsh kam dashur ta bëj publike sepse besoj që duhet të jemi transparentë në këtë pjesë, por e kam kuptuar që nuk duan të paraqiten para fitores për shkaqe të ndryshme, sepse kemi pjesëtarë të partive të ndryshme aty – edhe të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe nuk duan të bëhen publike para fitores. Jam i hapur”.

Vitia ka qeshur me deklaratën e Ramës, derisa e ka sfiduar të përmendë edhe emra.

“Mund të jesh i hapur, por ju sfidoj që ta përmendni dhe jam i sigurt duke njohur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Jam i sigurt se një pjesë e mirë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë drejtorë, ama në drejtoritë që do të udhëheq unë”.

Rama i ka thënë se për këtë do të bindet të hënën dhe “do të festojnë së bashku”, derisa Vitia i përgjigjet se kjo, përpos humorit, është edhe ironi.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeqytetin ka thënë se deklarata e Ramës nuk duhet të merret seriozisht.

“Të thuash që ka drejtorë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në ekipin tuaj duhet të jemi më serioz z.Rama. Besoj në vullnetin e tij të mirë që kishte qenë mirë të jetë edhe dikush nga Lëvizja Vetëvendosje, por të thuhet se kam biseduar edhe me dikë nga lëvizja Vetëvendosje që do të jetë drejtor mendoj se përveç se nuk merret seriozisht është edhe për të ardhur keq që para qytetarëve jepni një konstatim të tillë që është e pavërtetë”.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën i ka thënë kundërkandidatit të tij se duhet të jetë më mendjehapur dhe se do ta mirëpriste në kabinetin e tij, nëse do të jetë kryetar i kryeqytetit.

“Duhet të jeni mendjehapur për të mirën e Prishtinës. Nuk kam problem që edhe ju të jeni pjesë e kabinetit tim, por nëse ka më të mirë më të mirët do ta marrin vendin. Kjo është ideja që ne t’i marrim më të mirët që ta çojmë qytetin përpara dhe ta heqim nga ky kaos”.

Rama e ka thumbuar sërish kundërkandidatin e tij nga Vetëvendosja Arben Vitia duke i thënë se për dallim prej tij ai i merr vendimet vetë.

“Jam kandidat për kryetar të Prishtinës dhe si kryetar i Prishtinës jam i zgjedhur prej popullit dhe vendimmarrja bëhet nga unë. Asambleja Komunale është e ndarë në parti të ndryshme”.

“Projektet tona janë projekte të cilat do të bëjnë zgjidhje të problemeve të të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh partitë politike. Më vjen keq që e politizoni aspektin e zgjidhjes së problemit jetësor të qytetarëve të Prishtinës dhe e ndërlidhni me rëndësinë e partisë politike”.

“Unë, përkundër teje, marr vendime vetë. Nuk e pyes askënd lart, por marr vendime vetë. Vendimet e mia janë që stafi im të jetë profesional, të ketë aftësi menaxheriale dhe s’ka lidhje a janë të LDK-së, Vetëvendosjes, PDK-së, ose partive të tjera. Stafi do të jetë profesional, sepse ideja është për të mirën e qytetarëve të Prishtinës”.

Si do ta urojnë njëri-tjetrin Vitia e Rama, kur njëri nga ta të bëhet kryetar i Prishtinës?

Në përballjen e kandidatëve për kryeqytetin, pas shumë diskutimeve u pyetën edhe për atë se si do ta uronin njëri-tjetrin, kur njëri nga ta të bëhet kryetar i Prishtinës.

Kandidati i Vetëvendosjes, Vitia, tha se do t’i uronte suksese në punë për të mirën e qytetarëve.

“Sukses për qytetarët nëse do të mund të ketë sukses dhe sukses në punë për të mirën e qytetarëve natyrisht”, ka thënë Vitia.

Ndërkaq Rama u shpreh se do t’i kërkonte Vitisë të pinin kafe dhe të diskutonin për të ardhmen e Prishtinës.

“Do ta ftoja zotin Vitia të bëjmë një bashkëbisedim të flasim për ashtu shlirë e mirë të pimë nga një kafe dhe të bisedojmë për Prishtinën në mënyrën më të mirë të mundur, t’i tregoj edhe projekte të ndryshme të Prishtinës për të mirën e zotit Vitia të familjes së tij dhe të gjithë prishtinasve, pra do ta falënderoj për një kampanjë të mirë dhe do t’i ofroj bashkëpunim në të ardhmen edhe subjektit të Vitisë në qeverisjen e mirëfilltë të Prishtinës”, është shprehur Rama.

Si do të jetë dita e parë e punës e Përparim Ramës dhe Arben Vitisë nëse zgjedhen kryetar?

Ata kanë treguar edhe si do të jetë dita e parë e punës nëse zgjedhet kryetar.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, tha se detyra e parë që do ta bëj është që ta takojë stafin e komunës dhe të ju tregojë atyre për programin dhe misionin që ka ai si kryetar.

“Dita e parë e punës është ditë me rëndësi shumë të madhe që do ta shfrytëzojë që ti takojë të gjithë stafin e komunës dhe të ju prezantojë programin tonë dhë misionin tonë për ndryshimin rrënjësor të Prishtinës për luftën ndaj kaosit urban dhe gjërat që duhet ti zbatojmë së bashku”.

“Dhe po ashtu atyre të ju tregojë se janë reprezentues apo ambasadorë të komunës. Ata janë shërbëtorë dhe kryejnë shërbime për komunën e Prishtinës. Mirësjellja fillon prej komunës të gjithë qytetarët duhet të trajtohen njëjte. Duhet të jemi të hapur dhe të transparentë”.

Po ashtu edhe kundërkandidati i tij Arben Vitia, foli për punët e para që do t’i kryejë nëse ai bëhet kryetar i Prishtinës.

Vitia tha se puna e parë që do ta bënte është që sa më shpejtë të përfundojë rruga “Muharrem Fejza”.

“Kam qenë edhe më herët aty. E njoh stafin dhe procedurat, dita ime e parë e punës dhe ora e parë e punës do të nis me shumë punë që duhet të kryhen nga e hëna. E ajo se çka do ta katalizojë e para është që të ndërtohen të gjitha mekanizmat që rruga “Muharrem Fejza” të përfundohet. Kurse projektet e tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejt për shumë lagje, është që menjëherë të fillohen përgatitjet për “rrugën A” me kolektorin dhe shumë projekte që i kemi të gatshme”.

Related Articles