Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë është prezantuar te klubi i tij i ri, Besiktas.
Pas vetëm gjashtë muajsh në huazim te Torino, Asllani u largua në mes të sezonit dhe vendosi për një ambient të ri.
Asllani u rikthye tek Interi, klubi që e zotëron kartonin e tij, dhe më pas zgjodhi që të kalojë pjesën e mbetur të sezonit në huazim te Besiktasi, në Superligën turke.
E klubi nga Stambolli ka zyrtarizuar nënshkrimin e tij dhe ka dhënë detaje shtesë rreth marrëveshjes së arritur me Interin.
“Është arritur një marrëveshje me Interin për huazimin e përkohshëm të futbollistit profesionist Kristjan Asllani deri në fund të sezonit 2025-26. Sipas marrëveshjes, ekziston një opsion për blerje nga klubi ynë. I urojmë suksese Kristjan Asllanit me fanellën tonë të lavdishme dhe e paraqesim me respekt këtë informacion për publikun”, shkruan Besiktasi në “Facebook”.
23-vjeçari do ta gjejë edhe një shqiptar tjetër te Besiktasi, pasi pjesë e klubit turk është edhe përfaqësuesi i kombëtares së Kosovës, Milot Rashica.
Kristjan Asllani kaloi tri sezone me Interin, derisa paraprakisht u bë i njohur në futbollin italian gjatë kohës sa ishte me Empolin, aty ku edhe u rrit dhe u zhvillua si futbollist.
Interi e kishte huazuar fillimisht Asllanin më 2022 nga Empoli, teksa një vit më vonë e kishte blerë për 15.7 milionë euro.
