Kriza energjetike në Evropë rrezikon rreth 2 mijë paga në Kosovë

Kriza energjetike në Evropë rrezikon rreth 2 mijë paga në Kosovë

Paga e tetorit nuk do t’i dalë as për të paguar këstin e kredisë Sehat Behramit nga Drenasi. Për më shumë se 30 vite, Behrami ka punuar në koorporatën e metalurgjisë “Ferronikeli”, që gjendet në Drenas, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. “Ferronikeli” ka qenë kompani publike para se të privatizohej në vitin 2005. Në vitin 2018, ajo është blerë nga kompania e Shqipërisë “Balfin Group”.

Kjo kompani e ndërpreu prodhimin më 8 tetor të vitit 2021 për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në Evropë. Kjo mbyllje i la të pasigurtë rreth 2 mijë punëtorë të kompanisë.

Behrami që punon si pastrues thotë se me pagën që e merrte në “Ferronikel” mban familjen 7 anëtarshe. Për muajin tetor, kjo kompani pritet t’i paguajë punëtorët me gjysmën e pagave, ndërsa për nëntor nuk dihet se çfarë do të ndodhë.

“Veç me shpresa, këto shpresa po na mbajnë sepse tjetër gjë nuk ka kanë mbetur. Nëpër kredi jemi dhe çmimet janë ngritur, kanë shkuar në hënë tash”, thotë Behrami.

Ky punëtor së bashku me dhjetëra kolegë të tij, për dy ditë rresht, të mërkurën dhe të enjten, protestuan para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar ndihmë.

“Nëse qeveria na ndihmon, na shpëton”, thotë Behrami.

Kompania “Balfin Group” që është në pronësi të “Ferronikelit” deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje. Për ndërprerjen e punës në kompani, më 8 tetor kishte njoftuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“U informova se për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për katër herë në tregjet globale, ndërpritet përkohësisht puna në këtë kompani”, kishte shkruar Lladrovci.

Asnjë fjalë nga Qeveria për kërkesën e punëtorëve

“Edhe ne jemi Kosovë” si dhe “ Kompania është privatizuar por jo edhe ne” ishin disa prej pankartave të punëtorëve protestues para Qeverisë së Kosovës.

Rifat Halimi që të enjten foli para protestuesve tha se ndërprerja e punës në këtë kompani mund të shkaktojë probleme shumë më të mëdha sesa mungesa e përkohshme e pagave.

“Ndërprerja e punës në kompani ka gjeneruar edhe probleme të tjera si ndërprerja e pagesës së rregullt të punëtorëve, krijimi i rasteve sociale, dëmtimi i pajisjeve pas ndërprerjes, humbja e tregut dhe faktorë të tjerë dytësorë”, tha ai.

Nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur reagime lidhur me kërkesën e punëtorëve për ndihmë. Ata nuk i janë përgjigjur as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. /Gazeta Enigma.

Related Articles