Bashkimi Evropian ka bërë ftesë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq që të udhëtojnë drejt Brukselit për t’u takuar dhe për të diskutuar në gjetjen e një “zgjidhje evropiane” për të dalë nga situata e krijuar në veri të Kosovës, që për zëdhënësin e BE-së, Peter Stano është më e vështira që nga viti 2013.
Këtë e ka konfirmuar sot në Bruksel vetë zëdhënësi i BE-së, megjithatë ende s’dihet nëse kjo ftesë do të pranohet nga Kurti dhe Vuçiq.
“Ne kemi ftuar z.Kurti dhe z.Vuçiq për një takim të nivelit të lartë dhe shpresojmë që ky takim të ndodh shumë shpejt”, ka deklaruar Stano në konferencën e mbajtur sot.
Kjo ftesë për dy liderët vjen kur kanë mbetur edhe pak ditë nga data 21 nëntor, kur edhe skadon shqiptimi i qortimeve dhe fillon faza e gjobave për ata që nuk i heqin tabelat ilegale.