Kroacia ka shënuar fitore ndaj Holandës me rezultat 4-2 në vazhdime, në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.
Fillimi i ndeshjes ishte i qetë me të dy skuadrat që ruanin balancat në fushë.
Rasti i parë në ndeshje erdhi në minutën e 32-të, kur Teun Koopmeiners i Holandës rrezikoi i pari.
Pas dy minutash erdhi goli. Mats Wieffer asistoi te Donyell Malen, i cili shënoi për 1-0.
Por Kroacia u paraqit me fytyrë tjetër në pjesën e dytë, duke fituar penallti që në start.
Andrej Kramaric ishte i saktë nga penalltia për 1-1 në minutën e 55-të.
Në minutën e 73-të, kroatët morën epërsinë në ndeshje, kur Luka Ivanusec asistoi te Mario Pasalic i cili shënoi për 2-1.
Por holandezët nuk u dorëzuan dhe barazuan rezultatin në 2-2 në kohën shtesë me Noa Lang.
Në vazhdime, pikërisht në minutën e tetë të tyre, Kroacia sërish mori epërsinë, kur Bruno Petkovic shënoi për 3-2.
Kroacia shënoi edhe një herë në pjesën e dytë të vazhdimeve me Luka Modric nga pika e bardhë për 4-2.
Kroatët shënuan edhe një herë në minutën e 120-të, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Me këtë fitore, Kroacia kalon në finale, ku do të takohet me fituesin e ndeshjes Spanjë – Itali.