Deputetja shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj- Prljaskaj, ka folur rreth tragjedisë që ndodhi të dielën në Kroaci ku humbën jetën dhjetë persona dhe mbi 40 të tjerë u lënduan.
Lekaj-Prljaskaj tha se kjo ishte një tragjedi e rëndë derisa u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u dëshiroi shërim të shpejtë qytetarëve që po trajtohen ende në spitalin e Sllavonski Brod.
“Qeveria kroate dhe qeverisja lokale kanë dhënë një kontribut shumë të madh dhe duhet t’i falënderoj emergjencën dhe spitalin e Sllavonski Brodit, të cilët në një kohë të shkurtë kanë arrit në vendin e ngjarjes dhe brenda një ore kanë kryer operacionet e dy personave që kanë qenë në gjendje kritike dhe pastaj me ardhjen time dhe ambasadorit Kasapolli kanë bashkëpunuar me ne dhe na kanë informuar për çdo gjë, na kanë lejuar të kemi kontakt edhe me pacientët”, ka thënë Lekaj-Prljaskaj.
Deputetja shqiptare ka shpalosur edhe disa detaje tjera rreth komunikimit të saj me kryeministrin kroat dhe kryeministrin Kurti.
“Gjatë shkuarjes time në vendin e ngjarjes e kam njoftuar kryeministrin Andrej Plenkoviq, i cili më është zotuar se do të na dalë në ndihmë dhe do ta kemi mbështetjen e tij, pastaj e kam kontaktuar dhe kryeministrin Kurti i cili shprehu gatishmërinë që t’i vizitojë pacientët, gjë e cila edhe ndodhi pastaj”, u shpreh deputetja.
Lekaj-Prljaskaj gjatë kësaj interviste tregoi se kryeministri kroat Plenkoviq i kishte kërkuar t’i mësonte se si të fliste shqip para se t’i vizitonte pacientët e shtrirë në spitalin e Sllavonski Brodit.
“Mua më len përshtypje humanizmi i tij, momenti kur ka ardhur në Sllavonski Brod në spital më ka thënë Ermina që së bashku do të shkojmë t’i vizitojmë pacientët. T’i do të flasësh shqip unë kroatisht dhe më tregon në gjuhën shqipe se si thuhet ‘mirëdita’ dhe ‘si jeni’ tha ai për Telegrafin.
Ai dy herë brenda dy orëve i ka vizituar pacientët dhe i ka dhënë mundësi vetes që t’i mësoj dy fjalë në gjuhën shqipe”, u shpreh ajo.
Ndryshe, mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur 21 nga të mbijetuarit e aksidentit që janë në gjendje më të mirë shëndetësore, kurse sot kanë arritur edhe trupat e pajetë të dhjetë viktimave.