Kryeministri Kurti mbajti takim virtual me përfaqësuesin e Rockefeller Foundation, Rajiv Shah

Kryeministri Kurti mbajti takim virtual me përfaqësuesin e Rockefeller Foundation, Rajiv Shah

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri për Zhvillim, Integrim Evropian dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministrja e Ministrisë së Ekonomisë Artane Rizvanolli, mbajtën sot një takim virtual me përfaqësuesit e Rockefeller Foundation të SHBA-së, përkatësisht me dr. Rajiv Shah, president i Fondacionit dhe ish administrator i USAID, në administratën e presidentit Barack Obama. Bashkë me dr. Shah në këtë takim ka qenë edhe drejtori i Iniciativës për Financa Inovative të Fondacionit, z. Mike Muldoon.

Gjatë bisedës me dr. Shah dhe z. Muldoon, kryeministri Kurti dhe anëtarët e Qeverisë kanë prezantuar disa nga objektivat kryesore të Qeverisë, duke përfshirë uljen e nivelit të varfërisë dhe pabarazisë, krijimin e vendeve të reja të punës, luftimin e pandemisë COVID-19 dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme dhe të ekonomisë së gjelbër.

Nga ana e Fondacionit, dr. Shah dhe z. Muldoon shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Republikës së Kosovës në përmbushjen e këtyre objektivave, të cilat janë edhe pjesë e misionit të vetë Fondacionit Rockefeller. Po ashtu, ata kanë theksuar se nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, Qeveria e re ka një mundësi të artë jo vetëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe për të shërbyer si një model i qeverisjes së mirë për të gjithë botën, si për rimëkëmbjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës pas pandemisë, ashtu edhe për tranzicionin e suksesshëm drejt një ekonomie më të barabartë dhe të gjelbër.

Related Articles