Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thirrur në një mbledhje urgjente përgjegjësit e skandalit të implikimit të dy agjentëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në rastin gjyqësor të “Syrit të Popullit”.
Mbledhja është ftuar me urgjencë nga Kryeprokurori Lumezi pas publikimit të skandalit që përfshin ish-prokurorin special, Sylë Hoxha, ish-shefin e AKI-së, Driton Gashin dhe dy agjentë të AKI-së.
Prokuroria e Shtetit, ende nuk ka komentuar skandalin që përfshin organin e akuzës në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike në Kosovë. Prokuroria nuk është përgjigjur ende në pyetjet që mediumi online Paparaci i ka parashtruar disa ditë më parë.
Një hulumtim i publikuar sot në Paparaci, ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal.
Agjentët kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë kundër anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.
Marrëveshja e Hoxhës dhe Gashit pa u njoftuar gjykata me këtë fakt, ka rezultuar me dhënien e identiteteve fiktive për ta dhe shpalljen dëshmitarë të mbrojtur në këtë proces.
Gjykata, kurrë nuk është njoftuar me këto veprime. Thjeshtë ka miratuar kërkesën e prokurorit për t’ju dhënë statusin e dëshmitarit.
Se kanë dhënë dëshmi të rrejshme dëshmohet me raportin e AKI-së të datës 16 mars 2017 që i ishte dërguar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbi rrezikun që përbënte një grup njerëzish për të cenuar rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës, në krye me Murat Jasharin, i cili kishte plagosur avokatin, Azem Vllasi, në banesën e tij në Prishtinë.
Në atë raport që ka siguruar Paparaci, gjatë gjurmimit në shkresat e lëndës së Prokurorisë, njoftohej institucioni i Prokurorit të Shtetit për veprimtarinë e dyshimtë të grupit. Mes tjerash përshkruhej një bisedë e Sadri Ramabajës me një të akuzuar tjetër në një lokal në periferi të Prishtinës.
Por, në raportin e AKI-së që për autorë kishte dy agjentët nuk përmendeshin vrasje, as emra njerëzish se kush duhej të vritej.
Ndërsa në dëshmitë e tyre të dhëna në Gjykatë, agjentët tashmë me identitet fiktiv dhe të mbrojtur, kishin dëshmuar se si është planifikuar vrasja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryeministrit – Isa Mustafa, ish-ministrit – Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj etj, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.
Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.
Sipas aktakuzës, ky grup kishte planifikuar sulme dhe vrasje të personaliteteve të larta shtetërore të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.
Pretendohej se ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë. /Gazeta Enigma.