Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni prezanton punën njëmujore në qeverisje

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni prezanton punën njëmujore në qeverisje

Kryetari Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka prezantuar të martën para mediave punën njëmujore, ku ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të kësaj periudhe.



Përmbledhja e këtyre aktiviteteve përfshin mbi 70 takime të ndryshme me qytetarë e mërgimtarë, me OJQ, shoqata e donatorë, me institucione të ndryshme të cilat bashkëpunojnë me pushtetin lokal, sikurse edhe mbi 20 vizita të ndryshme në kompani, ndërmarrje publike e vend punishte.

Duke i nënvizuar disa prej angazhimeve më të rëndësishme, kryetari Hyseni tha se me GIZ-in gjerman kanë diskutuar për projektin që ka të bëjë me ambientin.

“Pasi që Komuna ka përfituar një grant prej 600 mijë euro, me USAID-in kemi diskutuar rreth projektit që ka të bëjë me monitorimin e Komunës, në mënyrë që ky projekt të na shërbejë për rritjen e performacës. Me OSBE-në kemi biseduar për rritjen e zbatueshmërisë së ligjit dhe respektimin e parimeve bazë ligjore juridike, sikurse kemi biseduar me policinë për çështje të ndryshme të sigurisë, për objektin e policisë, për funksionalizimin e kamerave të sigurisë dhe të tjera”, tha Hyseni.

Tutje ai ka treguar se nga një donator austriak kanë pranuar një donacion prej 33 shtretërish dhe 120 karroca elektrike.

“KemI pranuar një donacion prej 33 shtretërish dhe 120 karroca elektrike. Shtretërit janë vendosur në objektin e ri të QKMF-së dhe do të shfrytëzohen për qendrën COVID, nëse do të jetë e nevojshme”, ka deklaruar ai.

Kryetari Hyseni ka përmendur edhe takimin me komunitetin sportiv, klube, sportistë e federata.

‘Jemi zotuar qe si Komunë së shpejti do të fillojmë me punimet në palestrën sportive ‘Bashkim Selishta’ e po ashtu kemi rishikuar projektin e stadiumit. E ritheksova se stadiumi është një nga prioritetet tona dhe presim ta përfundojmë brenda vitit 2022’, ka theksuar Hyseni.

Angazhimet konkrete në shëndetësi, arsim, kulturë e shërbime publike

“Në shëndetësi kemi shtuar një ekip dhe gjithashtu kemi shtuar personelin, sikurse kemi reaguar menjëherë me kërkesë për riparimin e një trafoje të djegur, pasi shkaku i mungesës së energjisë elektrike, QMF në Dardani nuk ka mundur të kryej punët e saj dhe shërbimet është dashur të barten në QKMF. Fatmirësisht, përgjigja e KEDS-it ka qenë e shpejtë”.

‘Sa i përket çështjes së arsimit, kemi diskutuar për problematiken e pagave jubilare dhe se shpejti do të bëjmë zgjidhjen e duhur”, ka vijuar tutje kryetari Hyseni.

Ai ka folur edhe për ujin e pijes, me ç`rast ka thënë se së shpejti në kuvend do të ratifikohet marrëveshja për projektin “FLOW” që i jep zgjidhje përfundimtare këtij problemi, derisa në treg do të shikohet mundësia e rritjes se hapësirës për tregtarë me lokale shtesë.

“Në kulturë kemi diskutuar çështje të ndryshme që janë të rëndësishme për artistet. Kemi bëmë ndryshimet e nevojshme te komisioni i manifestimit ‘Flaka e Janarit’, sikurse kemi pasuruar programin dhe kemi përgjysmuar pagesat e anëtarëve te Bordit”

“Po ashtu kemi vizituar punimet në sheshin ‘Xhavit Ahmeti’ për të parë vazhdimin e projektit dhe punë kryesit i kemi kërkuar hapjen e një shirit për këmbësorë, për të lehtësuar lëvizjen e nxënësve gjatë hyrje-daljes në shkolla, derisa të kryhen punimet”, ka cituar kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Sa i përket dekorimit të qytetit për festat e fundvitit, Hyseni tha se ka anuluar kontratën e mëparshme prej 20 mijë euro dhe të njëjtën e ka realizuar për 9 mijë e ca euro.

Njëherësh, në këtë konferencë, mes tjerash, ai ka përmendur edhe takimet me partitë politike, ku është diskutuar rreth koalicionit dhe parimeve të bashkëqeverisjes si dhje çështje të tjera, me të cilat ai është marrë gjatë kësaj periudhe qeverisëse prej një muaji./Gazeta “Enigma”/

Related Articles