Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, tha se ka marr premtim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia se edhe sallat e dasmave do të hapen.
Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë afat, Sogojeva thotë se pas takimit gjashtë orësh që kanë pasur me ministrin kanë rënë dakord që nga e hëna të rifillojnë punën sektori i gastronomisë dhe ai i hotelerisë, po me kufizime.
“Nuk kemi lyp diçka jashtë normales po kemi lyp ato që mund të realizohen dhe kemi gjetur një ujdi një bashkëpunim me ministrin aktual Vitia. Në kuadër të kësaj e kemi pasur takimi jo vetëm dje, por edhe më herët dhe na është premtuar që kërkesat do të realizohen”.
“Dje kemi mbajtur takim, para se me u marrë vendimi. Është marrë një vendim i tillë, zgjatja e takimit prej 6 orësh ka dhënë rezultat, zgjatja e orarit të punës ka qenë, falë angazhimit e kemi mundësuar që ministri me u pajtua që të jetë deri ne ora 22:00. Në këtë drejtim, jemi zotuar që kërkesat e tyre të shkojnë në vendin e duhur, por dje nuk ka qenë temë kjo. Ne dje kemi pasur temën vetëm hapja e gastronomisë dhe hotelerisë si dhe qendrave tregtare”.
Sogojeva ka pohuar se tash e tutje asnjë vendim i Qeverisë që ka të bëjë me vendosjen e masave të reja nuk do të bëhen pa konsultimin e tyre.
Të enjten ai ka konfirmuar se do të kenë takim me përfaqësuesit e sallave të dasmave. Sipas tij, do të ishte absurde nëse nuk lejohet organizimi i dasmave duke marrë për bazë që do të bëhet vaksinimi, masat do të respektohen dhe do të bijë numri i të infektuarve.
“Nga e enjtja do të kemi takim me përfaqësues të sallave të dasmave, dhe do të shikohet mundësia si ta dalin nga kjo. Unë shpresoj që duke u nisur nga fakti që vaksinimi i popullatës do të bëhet, masat do të mbahen, dhe nëse kemi zvogëlim të pandemisë të të infektuarve, nuk ka arsyeje kushdoqoftë të merr hap për mos me hap sallat e dasmave”.