Kryetari i Suharekës publikon projektin për stadiumin e FC Ballkanit, kërkon ndihmën nga Ministria

Kryetari i Suharekës publikon projektin për stadiumin e FC Ballkanit, kërkon ndihmën nga Ministria

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka publikuar të enjten projektin e kësaj komune për stadiumin e qytetit.

Sipas tij, gjithçka është e gatshme si prona, ashtu edhe projekti ideor – për stadium me 17 mijë ulëse dhe se duhen vetëm investimet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ne jemi gati me detyrat tona si komunë për Stadionin. Sipas asaj që u deklarua në fundmi nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit z.Çeku, se komuna duhet ta ketë projektin dhe lokacionin, siç theksuam edhe para disa ditëve ne u angazhuam seriozisht. Ekziston lokacioni si parcelë kadastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK. Po ashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit – kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse. Ne i mirëpresim zyrtarët nga ministria në fjalë për të vazhduar me procedurat tjera”, ka shkruar ai në Facebook duke shpërndarë fotografitë e projektit.

Lajmi është shpërndarë nga faqja e Ballkanit. “Të lumtë kryetar, vetëm të bashkuar ecim përpara, na priftë e mbara Suharekë”, thuhet në shkrim të Ballkanit.

Kampioni i Kosovës në futboll të enjten nis sezonin e dytë në Ligën e Konferencës. Ndeshjet si vendas ky klub i luan në Prishtinë, në mungesë të stadiumit që përmbush kushtet e UEFA-s.

Kosova ka fituar të drejtën për t’i organizuar Lojërat Mesdhetare 2030. Si pjesë e projekteve është ndërtimi i arenave të reja sportive. Ministria tashmë ka njoftuar për zotimet për stadiumin në Mitrovicë dhe në Gjilan.

Në fotografitë e projektit, stadiumi i planifikuar ngjan në stadiumet moderne evropiane.

Related Articles