Ismet Kryeziu nga KDI ka alarmuar të dielën se Muferea Sinik, anëtare e KQZ-së ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje për shkak të presionit që po përjeton, shkruan Gazeta Enigma.
“Paralajmërimi i znj. Müferra Şinik, anëtare e KQZ-së, se mund të japë dorëheqje për shkak të presionit, është sinjal alarmues për ambientin toksik dhe kërcënues nëpër të cilin po kalon organizimi i zgjedhjeve në KQZ. Ky zhvillim nuk flet vetëm për problemet e brendshme të KQZ-së, por pasqyron edhe klimën e polarizuar politike në të cilën po funksionon ky institucion kushtetues”, tha Kryeziu.
Kryeziu shton se kjo po ndodhë për herë të parë.
“Që nga themelimi i KQZ-së, është hera e parë që një anëtare deklaron publikisht se nuk po arrin ta ushtrojë mandatin e saj në mënyrë të përgjegjshme, si rezultat i presioneve politike. Ky paralajmërim duhet të shërbejë si alarm serioz për institucionet shtetërore të sigurisë, por edhe për vetë partitë politike, të cilat – përmes përfaqësuesve të tyre – po kontribuojnë në krijimin e një ambienti të pasigurt rreth procesit zgjedhor.”
Kështu, sipas Kryzeiut rrezikohet integriteti i KQZ-së dhe besueshmëria në procesin e zgjedhjeve.
“Nëse ky trend nuk ndalet, rrezikohet jo vetëm integriteti i KQZ-së, por vetë besueshmëria e procesit të zgjedhjeve.”
