Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina nga Pfizer, ndonëse ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte bërë të ditur se vendit i janë siguruar 500 mijë doza. Nga Pfizer thonë për Express se janë në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksina, mirëpo nga Ministria e Shëndetësisë nuk japin informacione për mënyrën se si po shkon ky proces. Kosova vazhdon të mos furnizohet me këto vaksina, e as të mos e dij se kur do të vinë ato.
Janë bërë gati 5 muaj që kur ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte bërë të ditur se Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina nga Pfizer, por që vendi ende nuk ka arritur të marrë asnjë dozë të vaksinës nga kjo kompani.
“Në kuadër të angazhimeve konkrete për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, dëshiroj të ndaj me qytetarët informatën se kemi siguruar 500 000 vaksina kundër kësaj sëmundje nga kompania Pfizer. Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta”, kishte deklaruar Zemaj më 5 janar të këtij viti.
Ndërsa, me të marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, më 31 mars të këtij viti, Zemaj kishte bërë të ditur se i kishte ardhur konfirmimi për blerjen e vaksinave nga Pfizer-BioNTech, shkruan Express.
Me këtë rast, ai kishte kërkuar nga Qeveria Kurti që të vazhdojë finalizimin e pjesës së marrëveshjes për blerjen e vaksinave.
Megjithatë, Kosova vazhdon të mos ketë as edhe një marrëveshje të nënshkruar për vaksina.
Aq më shumë, nuk dihet se sa kohë do të marrë finalizimi i marrëveshjes, e ardhja e kontingjentit të parë me vaksina nga Pfizer.
Menaxherja e kompanisë Pfizer për rajonin e Adriatikut. Urša Lakner, ka thënë për Express se janë në diskutime me Qeverinë e Kosovës për të siguruar qasje në vaksina.
Ajo ka thënë se janë të përkushtuar për të sjellë këto vaksina, por që diskutimet me qeverinë janë konfidenciale.
“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, ka thënë ajo.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës në lidhje me kohën kur do të vinë këto vaksina e kontaktet që kanë me Pfizer.
Megjithatë, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për mosnënskrimin e një kontratë për furnizim me vaksina.
Deputeti nga radhët e PDK’së, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, ka thënë për Express, se ndonëse i kishte siguruar Ministrisë së Shëndetësisë kontaktet me një nga prodhuesit e vaksinës Pfizer, nga kjo ministri nuk kanë kontaktuar me kompaninë.
Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë veprim në këtë drejtim.
“Ministria e Shëndetësisë nuk ka marr asnjë veprim për sigurimin e vaksinave deri më tani në raport me këtë. MSH dhe qeveria e ka shpërdoruar mundësinë dhe po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Haxhiu ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka asnjë kontratë për furnizim me vaksina dhe që po vaksinon qytetarët me donacione.
“Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi kontratë për vaksina e vaksinimi i qytetarëve po bëhet me donacione dhe sadakë prej BE’së ose COVAX’it. Ne jemi ende me më pak se 300 mijë të vaksinuar me dozën e parë derisa vendet e rajonit e kanë kaluar shifrën prej 300 mijëve me dozën e dytë. Kosova është shumë mbrapa procesit të vaksinimit”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, deputetja e AAK’së, Albena Reshitaj ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të dijë ditën se kur do të furnizohet Kosova me vaksina.
Ajo ka thënë se çdo ditë e humbur për mosfurnizim me vaksina është rriskë për qytetarët.
“Ne e kemi thënë disa herë, ne e kërkojmë datën dhe numrin e vaksinave që Kosova duhet të ketë. Çdo ditë e humbur është rriskë për shëndetin e qytetarëve”, ka shtuar ajo.
Kujtojmë që Kosova deri tani është furnizuar vetëm me vaksina të cilat kanë qenë donacione nga Bashkimi Evropian dhe COVAX.
Vendi ende nuk ka arritur të nënshkruaj ndonjë kontratë për furnizim me vaksina.