Të hënë, më 24 janar qytetarët e Kuksit përmes një postimi në Facebook kanë njoftuar se nga ora 10:00 do të zhvillojnë një protestë paqësore në pikën kufitare në Morinë.
Kjo protestë është thirrur me qëllim të heqjes së pengesës për lëvizje të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët nuk janë të vaksinuar me të tri dozat e vaksinës kundër COVID-19, siç e parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës, që askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimi me të tri dozat e vaksinës.
“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja./Gazeta Enigma/