Pavarësisht shpalljes së aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese më 8 gusht, publikimi i plotë i vendimit në Gazetën Zyrtare ende nuk është bërë, çka po vonon thirrjen e mbledhjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
E nga Gjykata Kushtetuese, kanë bërë të ditur se vendimi i plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit do të publikohet në faqen zyrtare pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore dhe administrative.
“Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve. Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për telegrafin.
Ndërkaq, seanca konstituive nuk mund të mbahet derisa Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e plotë.
Ndërsa, në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht të Gjykatës Kushtetuese urdhërohen deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare – e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – por këtë herë me udhëzime më të qarta.
Po ashtu thuhet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve.
Gjykata ka konstatuar që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Po ashtu thuhet që kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në vendim.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit “nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.