Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se Lista Serbe me gjasë është organizatë terroriste.
Kurteshi tha se qëllimi nuk është as te zgjedhjet në veri por as te targat, por sipas tij, qëllimi i Serbisë është që të dëshmoj përmes Listës Serbe, se Kosova nuk ka pushtet në pjesën veriore të vendit.
“Mendoj se shpërthime mund të ketë edhe nesër, megjithatë kjo është një gjendje e krijuar qëllimshëm nga një shtet i caktuar që ka dërguar grupe të veta të armatosura, ku krejt përvoja dëshmon se këto janë struktura të organizuara e jo grupe vullnetare”.
“Qëllimi nuk është as te zgjedhjet as te targat, por qëllimi që po e ndjek Serbia është që të dëshmoj se me Listën Serbe, që më gjasë është organizatë terroriste ose pjesë politike e një organizate politike, të krijoj një gjendje të tillë në veri, që dëshmon se pushtetin faktik e kanë ata dhe se shteti i Kosovës nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet”, është shprehur Kurteshi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Qeveria e Kosovës e ka obligim kushtetues që të garantoj siguri në çdo pjesë të territorit, e që sipas tij, në veri momentalisht s’ka siguri.
“Qeveria e ka obligim të garantoj sigurinë atje. Tash momentalisht nuk ka siguri, pasi është një gjendje e krijuar që nuk është krijuar dje a pardje, por qe 20 vjet”.
“KQZ-ja e ka një detyrim kushtetues, t’i përgatis dhe t’i mbaj zgjedhjet. Që t’i dërgojnë materialet e t’i funksionalizojnë zyrat, jo që s’ia dolën sot, por ka mundësi edhe nesër”, ka thënë Kurteshi.